
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë zyrtarisht të pandehur Erion Veliajn dhe kjo gjë u është komunikuar avokatëve të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Burime për mediat bëjnë me dije se akuzat do t’i komunikohen zyrtarisht Erion Veliajt, ditën e nesërme, (e mërkurë, 23 Korrik), kur ai do të transportohet nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të SPAK në Tiranë. Po ashtu, ditën e nesërme pritet t’i komunikohen akuzat edhe bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës.
Ndërkohë sot është paraqitur në SPAK biznesmeni Elman Abule, i cili është marrë zyrtarisht i pandehur për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Ai u arrestua fillimisht më 10 Shkurt nga SPAK, por Gjykata e Posaçme e Apelit ia zbuti masën e sigurisë në “Arrest shtëpie”.
Mbetet për t’u parë nëse pas këtij vendimi, Veliaj do të shkarkohet nga posti i kryebashkiakut dhe presidenti Bajram Begaj do të caktojë zgjedhje të reja për Bashkinë e Tiranës apo jo. Por, vlen për t’u theksuar fakti se Edi Rama prej ditësh ka filluar punën në Tiranë, duke organizuar mbledhje çdo javë, duke lënë përshtypjet se në vjeshtë mund të kemi zgjedhje.
Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 Shkurtit në Bashkinë e Tiranës, teksa i është lënë në fuqi masa e “arrestit me burg” nga të tre shkallët e gjyqësorit.
Pas një hetimi 1 vjeçar, SPAK i ka ngritur akuzat Veliajt për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Pas vendimit të Apelit, Erion Veliajt iu shtua edhe akuza e futjes së sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit, pasi ishte në përgjim dhe zhvilloi telefonata me celularin e një prej efektivëve të Burgjeve, teksa ishte në fugon për t’u transferuar në burg.
Për të njëjtën çështje akuzohet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet në masën “detyrim paraqitje”, dhe mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.
Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.
Ndërkoh, më 22 Maj, SPAK rëndoi pozitat penale të çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa, pasi i shtoi një akuzë të re, si dhe i sekuestroi edhe një tjetër apartament, e cila dyshohet si pasuri e fshehur e tyre.
Bëhet fjalë për apartamentin në katin e dytë të godinës ku ndodhet dhe apartamenti i Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në zonën e “Kodrës së Diellit” në kryeqytet, ku më parë ishte ushtruar kontrolle edhe nga oficerët e BKH-së.
Ndaj çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa është shtuar akuza e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Aktualisht Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e burgut të Durrësit. Nga qelia, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave që e mbështesin, kryebashkiaku ka ndërmarrë një fushatë linçimi publik ndaj prokurorit të çështjes dhe gjyqtarëve që kanë vlerësuar masën e sigurisë, në një përpjekje të dështuar për t’i frikësuar.
Veliaj ka angazhuar në mbrojtje të tij edhe dy studio ligjore ndërkombëtare – në Nju Jork dhe Londër, si dhe një kompani ‘PR’ britanike.