
Një tjetër projekt i bujshëm i Fondit Shqiptar të Zhvillimit pritet të shndërrojë një ish-zonë ushtarake në Bulqizë në një kompleks me hotele, restorante dhe lokale, nën emrin “Parku Tematik Retro”. Sipas dokumenteve të siguruara nga Korrieri, drejtuesi i FSHZH-së, Dritan Agolli, ka shtuar edhe 2.7 milionë euro në faturën ekzistuese, duke e çuar koston totale të projektit në rreth 6 milionë euro.

Ky është vetëm rasti më i fundit i një modeli që Agolli ka ndjekur më parë edhe në Përmet, Sarandë apo Petrelë – transformimi i pronave publike në struktura që ndjekin të njëjtën filozofi me bizneset private të familjes së tij. Djali i Agollit, për shembull, zotëron një restorant luksoz në Hamallaj, ndërkohë që edhe anëtarë të tjerë të familjes janë të përfshirë në biznese në sektorin e mikpritjes.
Megjithëse zhvillimi turistik i zonave të braktisura është i mirëpritur, mënyra si po ndërtohen këto projekte ngre shumë pikëpyetje. Në rastin e Bulqizës, Korrieri ka verifikuar se edhe tenderi i dytë, me vlerë 271 milionë lekë, mund të përfundojë në duart e të njëjtës kompani që fitoi fazën e parë, “Ulza”.
Në vjeshtën e vitit 2024, FSHZH shpalli tenderin e parë për transformimin e zonës, me një fond limit prej 338 milionë lekësh.
Tenderi u fitua nga “Ulza”, ndërsa tani, pa kaluar as 12 muaj, është hapur një tender i ri që duket si një zgjerim i planifikuar paraprakisht.
Projekti parashikon ndërtimin e një “Retro-Hoteli” në ish-shtëpinë e Oficerëve, si dhe rikualifikimin e tetë banesave dykatëshe në të njëjtën zonë. Objekti kryesor, me një sipërfaqe prej rreth 490 m² për kat, do të shndërrohet në një hotel me stil komunist, hostel për grupe, hapësirë muzeale me objekte të periudhës së diktaturës dhe njësi shërbimi për mëngjes, kafeteri dhe administratë.
Zona e transformuar do të shtrihet në një sipërfaqe prej 10 hektarësh dhe parashikohet të kthehet në një destinacion të ri turistik në verilindje të vendit. Por përtej fasadës së zhvillimit, mbeten dyshimet për mënyrën si shpërndahen fondet publike dhe kush përfiton realisht nga këto investime.
Me precedentët e deritanishëm të drejtimit të FSHZH-së, shumë zëra në sektorin e ndërtimit dhe të turizmit ngrejnë shqetësime se projektet e tilla, në vend që të shërbejnë për interesin publik, përfundojnë duke favorizuar një rreth të ngushtë klientësh dhe kompani të lidhura me njerëz me ndikim në vendimmarrje. /korrieri