
Një debat i pazakontë në rrjetet sociale ka vënë përballë median satirike “Lolita Albania” dhe kompaninë e përpunimit të qumështit “Lufra”, duke rikthyer në vëmendje shqetësime të vjetra të konsumatorëve për përbërësit e produkteve ushqimore që konsumojnë çdo ditë.
Gjithçka nisi me një postim marketingu të “Lufra”, ku personazhi i saj simbolik “lopa Lara” përdorej si figurë për promovimin e produkteve të kompanisë. “Lolita” reagoi menjëherë duke ironizuar: “Lara është yll e bukur, por kompania Lufra nuk ka fermë. Boll përdorët Larën e shkretë dhe cicat e saj për qëllime marketingu”.

Reagimi nuk u shpërfill. Në një koment të gjatë dhe të argumentuar, vetë “Lufra” u përgjigj publikisht duke pranuar se nuk ka një fermë të vetën, por theksoi se bashkëpunon me më shumë se 450 fermerë të licencuar në Shqipëri, përfshirë “Fermën Demiri”, ku ndodhet edhe “Lara”.
Kompania shtoi se punon për të rritur transparencën dhe se është e hapur për vizita nga qytetarët apo media.
Akuzat për përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës
Debati nuk u mbyll me kaq. Komentues të tjerë dhe vetë “Lolita” ngritën pyetje serioze mbi përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës. “Lufra” e mohoi prerazi përdorimin e qumështit pluhur nga Serbia, Maqedonia apo vende të tjera në produktet e saj të freskëta, duke deklaruar se çdo litër qumësht vjen nga fermerë vendas.
Për vajin e palmës, një tjetër përbërës i diskutueshëm për shëndetin, “Lolita” kërkoi një deklarim të saktë mbi sasinë e blerë apo të importuar nga kompania. “Lufra” u përgjigj se asnjë nga produktet e markës së saj, përfshirë qumështin, kosin, gjalpin apo djathin nuk përmban vaj palme dhe se të gjithë përbërësit janë të deklaruar në etiketë, siç e kërkon ligji.
Pavarësisht toneve ironike dhe natyrës së debatit, përplasja mes “Lolita Albania” dhe “Lufra” solli në vëmendje disa çështje që prej kohësh shqetësojnë konsumatorët: përbërja e produkteve, origjina e lëndëve të para dhe mungesa e informacionit të detajuar për produktet ushqimore.
“Lufra” përfitoi nga momenti për të hapur një ftesë publike për të gjithë qytetarët që duan të vizitojnë fermat dhe fabrikën e tyre, duke u zotuar për më shumë transparencë. Nga ana tjetër, “Lolita” mbajti një qasje kritike por të qartë: konsumatorët meritojnë të dinë me saktësi se çfarë konsumojnë dhe çfarë përmbajnë produktet që blejnë çdo ditë.
Korrieri ka raportuar vazhdimisht mbi abuzimet me prodhimet e bulmetit në vend. /korrieri