
Nga Arianita Brahaj
Në ditët e fundit, mediat kanë raportuar për një nga rastet më të rënda të hetimit penal për korrupsion në sektorin publik. Bëhet fjalë për një çështje që përfshin shkelje të barazisë në tendera dhe përfshin funksionarë të nivelit të lartë të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), me në qendër të hetimeve vetë kryetarin e institucionit, J.M.
Në disa prej raportimeve, është përmendur gjithashtu emri i një ish-anëtareje të KPP-së, L. Skeja, e cila – pavarësisht pozicionit të saj institucional – është portretizuar në mënyrë të çuditshme në media si një “vartëse në ankesë”. Në disa raste, ky përshkrim është marrë thuajse fjalë për fjalë nga vendimi gjyqësor për masën e sigurisë.
Por a përputhet ky përshkrim me realitetin institucional të pozicionit të znj. Skeja?
Faktet tregojnë se L. Skeja nuk ka qenë një punonjëse e zakonshme dhe as vartëse e Kryetarit të KPP-së. Në të vërtetë, anëtarët e Komisionit zgjidhen me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votohen nga Parlamenti. Ata nuk shkarkohen dhe nuk marrin urdhra nga kryetari i institucionit, por janë të pavarur në ushtrimin e detyrës së tyre.
Kjo do të thotë se, nëse ka pasur presione apo ndërhyrje për të ndikuar në vendimmarrje, është më logjike të supozohet se këto ndikime kanë ardhur nga instanca më të larta politike – përkatësisht mazhoranca që ka votuar për emërimin e saj – dhe jo nga një strukturë hierarkike që nuk ekziston brenda institucionit.
KPP është një institucion i pavarur kushtetues, i përbërë nga pesë anëtarë (katër anëtarë dhe kryetari), të cilët kanë të njëjtin mandat dhe status institucional. Çdo insinuatë që anëtarët e këtij komisioni janë “vartës të pashpresë” që ndjekin urdhra pa vetëdije ligjore, jo vetëm deformon faktet, por rrezikon të çorientojë edhe publikun në lidhje me përgjegjësitë reale në këtë procedim penal.
Më poshtë gjendet edhe vendimi zyrtar i KPP-së për tenderin objekt hetimi, i firmosur nga të gjithë anëtarët e institucionit.
