
Një ngjarje tragjike u regjistrua pasditen e të martës, më 8 korrik, në liqenin e Shkodrës. Kapiteni i një anijeje për qëllime turistike, humbi jetën pasi tentoi që të shpëtonte dy turistë që kishin rënë në ujë.
“Rreth orës 16:32, është marrë njoftim nga Salla Operative se në liqenin e Shkodrës, kapiteni i anijes për qëllime turistike e Bashkisë Shkodër, shtetasi A. A., 51 vjeç, dyshohet se gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, është mbytur”, njoftoi policia.
Fatmirësisht nga ngjarja kanë shpëtuar dy turistët, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë autoritetet po vijojnë me kërkimet për gjetjen e trupit të 51-vjeçarit. /korrieri