
Një 66-vjeçar, punonjës i një firme ndërtimi në Berat, dyshohet se është rrëzuar nga kati i tretë i një pallati në ndërtim në lagjen “Kushtrimi”.
Si pasojë e dëmtimeve që ka marrë pas rrëzimit, 66-vjeçari ka humbur jetën në spital, teksa po merrte ndihmën e parë.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë që denoncon “faktin se kantieret e ndërtimit në Tiranë dhe bregdet janë kthyer si banka për arkitektët e huaj që marrin miliona euro dhe si agjensi funerale për punëtorët e ndërtimit që po humbasin jetën për shkak të pasigurisë në punë”.
“Sot ku data shënon 30 qershor 2025 në një kantier ndërtimi në lagjen “Kushtrimi” në Berat u shënua aksidenti i radhës në vendin e punës ku viktimë mbeti shtetasi Ramadan Hatija 66 vjeç
Shkak i këtij aksidenti të rëndë dyshohet të jetë mungesa e kushteve të sigurisë teknike në punë.
KSSH i shpreh ngushëllimet familjes Hatija kërkon nga Prokuroria të hetojë ngjarjen e rëndë dhe vënien para përgjegjësisë nëse janë shkelur rregullat e sigurisë teknike në punë.
KSSH apelon që Inspektoriati Shtetëror i Punës të shtojë urgjentisht kontrollet në kantieret e ndërtimit që po marrin jetë njerëzish”, deklaron Konfederata e Sindikatave te Shqipërisë.