
Në një dalje të ndjerë emocionale në emisionin “E Diela Ndryshe”, themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, solli në vëmendje historinë tronditëse të një vogëlusheje të ndjerë, Elsës, duke e kthyer një ngjarje personale në një mesazh të fuqishëm publik.
Por në sfondin e rrëfimit prekës, shumëkush ka parë një sinjal të qartë: rikthimin e Hajdarit në qendër të vëmendjes si një vetëofrim për garën politike, konkretisht për Bashkinë e Tiranës.
Teksa fliste për Elsën një vajzë e varfër nga Delvina, e cila humbi jetën nga një sëmundje e rëndë, Hajdari ndërtoi një narrativë të ngarkuar me emocione, përkushtim personal dhe përvojë njerëzore.
Ai kujtoi si kishte ndihmuar familjen e saj të dilte nga varfëria, si i kishte siguruar një banesë, si i kishte dërguar për herë të parë në det, dhe si Elsa e kishte konsideruar atë si babanë që i mungonte.
Por në një kohë kur Partia Socialiste ende nuk ka zyrtarizuar kandidatin për Bashkinë e Tiranës, interpretimi politik i këtij rrëfimi emocional është i pashmangshëm.
Zgjedhja për ta ndarë këtë histori në një nga emisionet më të ndjekura të së dielës, në mënyrë të përqendruar tek figura e tij, shihet si një lëvizje e menduar për të rikthyer vëmendjen publike te Hajdari dhe për të forcuar profilin e tij si njeri i ndjeshëm, afër njerëzve dhe i gatshëm për të marrë më shumë përgjegjësi.
Analistë të ndryshëm e shohin këtë si nisjen joformale të fushatës së tij për të qenë kandidati i mazhorancës në kryeqytet, duke përdorur historitë njerëzore si trampolinë për të ndërtuar imazhin e një lideri empatik e të përkushtuar. Përmes rrëfimit të Elsës, Arbër Hajdari nuk përloti vetëm publikun, ai riktheu me kujdes vëmendjen te vetja, në një moment kur gara për Tiranën sapo ka nisur të marrë formë. /korrieri