
Gjatë një seance gjyqësore të mbajtur sot, i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka dhënë dëshminë e tij tronditëse lidhur me ekzekutimin e Fridman Xhaferrajt, i cili u gjet më 13 qershor 2021 brenda një rezervuari në Korçë, me gjymtyrë të lidhura me litar dhe me plagë të rënda në kokë.
Në rrëfimin e tij, Tafani përshkruan me detaje moment pas momenti lëvizjet e grupit, diskutimet për vrasjen, lutjet e viktimës, goditjet dhe mënyrën makabre të zhdukjes së trupit.
Ai përmend rolet e Laert Haxhiut, Lulzim Dukës, Mariglen Topuzit dhe Bledar Berberit në këtë ngjarje që tronditi opinionin publik.
Dëshmia e plotë e Artan Tafanit:
“Në makinë, Laerti i tha: ‘Do e vrasim Fridmanin’.
Marigleni dhe Bledari zbritën më pas nga makina. Ne vijuam për në Korçë. Në një rezervuar që shkuam, Laerti nuk e pëlqeu vendin – ja kishin rekomanduar Bledar Berberi dhe Mariglen Topuzi.
Në Korçë shkuam unë, Laerti dhe Lulzimi. Shkuam te shtëpia e Ligor Romackës. U nisëm për tek rezervuari i Gjankshit – na çoi Ligori si i zonës. Laertit i pëlqeu vendi.
Lulzimin e lamë aty. Shkuam dhe morëm një litar e një gomë makine.
E morëm Fridmanin në makinë, por s’i thamë gjë ku do shkonim. I thamë: ‘Do paketojmë hashash’.
Sa mbërritëm, Laerti i thotë Fridmanit: ‘Po qysh ishte ai muabet që ke thënë ‘do flas po s’më nxorët nga burgu’?’
Ai tha: ‘Jo, jo’ – qante i shkreti. Më lutej: ‘O Marius, thuaj t’më falë!’
Gjuajti njëherë Lulzimi për ta kapur në kokë – ai lëvizi kokën.
Pastaj Laerti i tha Lulzimit: ‘Vrite!’
I gjuajti mbrapa kokës, por ai lëvizte akoma, merrte frymë.
Pastaj i ramë me atë gomen.
E lidhën me litar dhe e futën në rezervuar.
E lidhën trupin edhe me gomë, që të fundosej në ujë.
Një herë e nxori në sipërfaqe.
Pastaj e lidhëm me gurë dhe e hodhën brenda.”