
????????????????????????????????????
Pas skandalit në kompaninë telefonike ONE, ku persona të maskuar hynë brenda ambienteve në orët e para të 25 dhjetorit 2024 dhe ngjarja u mbajt e fshehur, kanë nisur edhe ndëshkimet e para.
VNA ka publikuar një email ku kompania ONE kërkon ndërprerjen e kontratës me shoqërinë fizike të sigurisë Nazeri 2000, ku disa prej punonjësve të saj janë nën hetim për moskallëzim të krimit.
“Të lutem merr parasysh të kemi gati herët nesër zgjidhjen e kontratës së Nazerit me 30 ditë lajmërim. Të fillojë menjëherë procesi i tenderimit. Më thuaj nëse të duhen detaje të tjera”, thuhet në mesazhin e dërguar.
Burimet konfirmojnë po ashtu se kanë nisur procedurat për largimin e punonjësve të vetë kompanisë. Por, pavarësisht këtyre lëvizjeve, që vijnë pas publikimit të skandalit dhe jo më herët, pyetja që mbetet ende pa përgjigje është: pse u fsheh ngjarja?
Kompania ONE reagoi një ditë më parë, por nuk shpjegoi në asnjë moment arsyet se përse nuk u lajmërua policia lidhur me faktin se dy të maskuar kishin hyrë në kompani. Së dyti, përse për më shumë se 3 muaj nuk u morën masa dhe vetëm pas rrjedhjes së informacionit në media filluan ndëshkimet e para.
Ndëshkime që ngjajnë se janë më shumë një përpjekje për të pastruar imazhin sesa për të zbuluar të vërtetën. Sepse e vërteta u përpoq të groposet që kur ngjarja nuk u raportua. Çfarë u fsheh në këtë histori? Kujt i interesonte kjo? Çfarë provash kishte në atë godinë dhe a u shkatërruan?
Ndoshta hetimi mund të hedhë dritë mbi këto pikëpyetje, ose ndonjë hetim që mund të nisë nga Budapesti.
