
Policia e Shtetit është rikthyer me radarë dhe dronë në disa prej akseve më problematike të vendit, pasi gjatë ditëve të fundit janë shënuar dhjetra aksidente të rënda me viktima e të plagosur.
Në videon e shpërndarë, dallohen dhjetra makina të kapura nga radarët teksa udhëtojnë me shpejtësi që varjon nga 150 deri në 212 kilometra në orë. Gjobat për këto mjete janë midis 30 mijë dhe 40 mijë lekë të reja.
Po ashtu, një numër shoferësh janë kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Policia bën thirrje për kujdes në mesazhin e shpërndarë:
Udhëtoni me jetën në mendje, që mbërritja në destinacion të jetë e sigurt! Familja ka nevojë për ty!
Policia Rrugore rrit masat parandaluese duke intensifikuar kontrollet me makina inteligjente, radarë, dronë dhe alkool-testues, në të gjitha akset rrugore dhe qendrat e banuara.
-Mos drejtoni automjetin me shpejtësi që varion 3 deri në 3.5 herë më shumë se limiti i lejuar, në tunele apo akse rrugore kombëtare duke u kthyer në rrezik të madh për jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës!
-Mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur! Alkooli mpin trurin dhe vret jetën.
-Vendosni rripin e sigurimit dhe mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit!
Mos kryeni parakalime të gabuara dhe qëndroni në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes, për shkak të fluksit të madh përgjatë fundjavës, kryesisht në zonat bregdetare dhe ato turistike.
Përqëndrohuni në timon! Për shkak edhe të lagështirës si pasojë e motit me reshje shiu, rreziku është më i lartë për përfshirje në ngjarje rrugore.
Në të gjitha rrugët e vendit, 24/7, është prezente Policia Rrugore me makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, kamerat dhe alkool-testuesit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Kontribuoni të gjithë për sigurinë rrugore!