
Një operacion i policisë së Riminit në Itali çoi në arrestimin e një të riu shqiptar, i cili u kap në flagrancë ndërsa po shiste kokainë në bregdetin e Miramare.
I riu që kishte hyrë fshehurazi në Itali, si klandestin, mbahej nën vëzhgim nga oficerët prej disa ditësh. Ata dyshonin te lëvizjet e tij, por nuk ndërhynë derisa të siguronin provat. Arrestimi u bë në momentin që shqiptari po shiste dozën e radhës tek një përdorues vendas.
Gjatë kontrollit, oficerët sekuestruan doza kokaine afërsisht 5 gramë, përveç 350 eurove cash nga shitjet.
I riu shqiptar ishte pa precedentë penalë, por i paligjshëm në territorin italian, teksa u arrestua dhe me gjykim të shkurtuar të nesërmen u dënua me 6 muaj burg dhe një gjobë prej 1200 eurosh. Burgimi iu fal në këmbim të dëbimit të tij të menjëhershëm nga vendi.
Më 19 qershor, në përfundim të procedurës së iniciuar nga Zyra e Imigracionit e Shtabit të Policisë së Riminit dhe të vërtetuar nga gjyqtari, shqiptari u shoqërua në kufirin ajror të Ankonës dhe u ngjit në një fluturim drejt Shqipërisë.