
Helmimi i fëmijëve në kopshtin nr.1 të Gramshit ka ardhur për shkak të vezës së kontaminuar me salmonelë.
Analizat iu morën 72 personave, 53 fëmijëve dhe 19 anëtarëve të stafit të kopshtit dhe u dërguan në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik.
Nga salmonela u prekën 17 fëmijë. Episodi i helmimit masiv ka ndodhur më 20 maj, por ngjarja u mbajt e fshehtë nga institucionet. Episodi u bë publik pak ditë më pas nga një familjar, i cili denoncoi publikisht helmimin e nipit të tij.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli:
“Mbi rezultatin e analizave laboratorike për prezencën e Salmonella spp. në mostra vezësh marrë nga kopeshti i femijeve ne Gramsh.
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve dhe publikut mbi rastin e analizave të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), sqarojmë si më poshtë:
Në datë 29.05.2025, ISUV publikoi rezultatet zyrtare për analizat mikrobiologjike të kryera mbi 5 kampione vezësh të marra zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), rajoni Elbasan. Të gjitha kampionet kanë rezultuar pozitive për prezencën e bakterit Salmonella spp., sipas standardit ndërkombëtar ISO 6579-1:2017.
Ky rezultat është alarmant dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, veçanërisht në rastet kur produkti konsumohet pa përpunim të duhur termik. Prania e Salmonella spp. në vezë mund të shkaktojë sëmundje akute gastrointestinale tek konsumatorët, me pasoja serioze për grupet më të ndjeshme të popullatës (fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna, persona me imunitet të ulët).
Bazuar në këtë situatë, rekomandojmë që:
Të ndërmerren menjëherë masa për ndalimin e tregtimit të këtij produkti.
Të gjurmohet dhe izolohet loti i vezëve të kontaminuara.
Të kryhet një kontroll sanitar-veterinar i plotë në fermën ose subjektin që ka prodhuar ose shpërndarë produktin.
Të njoftohet konsumatori dhe të garantohet asgjësimi i produktit të pasigurt, sipas procedurave ligjore.
Përgjegjesia bie mbi AKU për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit”
Pak ditë më parë, prindërit e fëmijëve të këtij kopshti dolën në protestë, duke kërkuar hetimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave për sigurinë ushqimore. Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besjan Ajazi mohoi akuzat për intimidim dhe fshehje të ngjarjes, teksa theksoi se kompania “Nelsa SHPK” që ka fituar tenderin për furnizimin me ushqime të kopshtit ka kryer të gjitha analizat e nevojshme higjeno-sanitare.
Salmonella është një bakter që gjendet zakonisht te mishi i pulës dhe vezët ndaj dyshimet e para janë tek kompania private “Nelsa shpk”, e cila ka fituar tenderin për furnizimin e kopshtit me ushqime. /korrieri