
Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj do të dalë nesër më 9 qershor, para trupës së Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nesër, trupa gjykuese do të shqyrtojë kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.
Veliaj, i cili prej muajit shkurt ndodhet në ambientet e paraburgimit të burgut të Durrësit do të kërkojnë kërkon zëvendësimin e masës me “arrest në shtëpi”. E gjitha në këmbim të një garancie pasurore. Përmes avokatëve të tij, Veliaj do të mundohet që t’i provojë Gjykatës se nuk ka më rrezik që ai të prishë provat, ndaj mund të lirohet. Po ashtu, do të përdorë në favor të tij edhe faktin se ende është kryebashkiak i Tiranës dhe ka detyrime ndaj postit të tij, të cilat mund t’i ushtojë në kushte izolimi.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash ‘OJF’.
Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën “arrest me burg”, ndërsa Xoxa në “detyrim paraqitje”, ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje.” /korrieri