
Forcat speciale të RENEA-s kanë vendosur në pranga Flobenc Meçjan, i cili është mes 7 personave të arrestuar gjatë një aksioni në një restorant në Gjirin e Lalzit. Edhe pse ishte i shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Meçja ishte duke darkuar me të arratisurin nga burgu italian, Xhevdet Plakun dhe disa persona të tjerë, disa prej tyre të shpallur në kërkim.
Meçja alias Gega alias Drini, ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet për kryerjen e disa veprave penale: “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.
43-vjeçari nga Shkodra u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi emri i tij dilte në biseda në aplikacionin e enkriptuar “SkyECC”, me Franc Çopjan. I riu nga Shkodra ishte i shpallur në kërkim për vrasjen e Arjan Spahiut në Belgjikë, për llogari të klanit Çopja. Ai akuzohet si vrasës me pagesë e tyre dhe ka qenë i hetuar për vrasje me pagesë në Vlorë. Në bisedat e zbardhura nga SPAK, ai flet me Florenc Çopjan, i cili i ofron 4 apo edhe 5 milionë euro për vrasjen e Erion Alibej. Po ashtu, i kishte ofruar edhe nga 1 milion euro për vrasjen e shtetasve Arjan Spahiu, Aldo Bahos dhe Ilir Lloshit.
Franc Çopja bisedon me Flobenc Meçjan
Për të arritur qëllimin, në mesazhet e zbardhura nga SPAK, Flobenc Meçja e siguron Franc Çopjan se do marrë edhe një qitës serb. Me qëllim që të jenë më të sigurtë në realizimin e planit të tyre.
Flobenc Meçja: Më thuaj pak a shumë ku rreh pazari, se unë nuk jam vetëm? Ti dashke me na nxjerrë në pension hahahha. Nëse ka pamje të mirë atëherë do i hyj punës. Uroj që shtëpia e kushërirës të bëj punë pasi sa të vijë vjeshta do e ekzekutoj Erion Alibej. Sapo të marrë snajperin do të të informoj dhe nëse distanca nga shtëpia e kushërirës është 400 metra për mua ekzekutimi i Alibejt nuk është problem. Nëse xhamat e Erionit nuk janë të blinduara mund ta godasim edhe kur të jetë brenda në shtëpi.
Por pavarësisht përpjekjeve, Meçja nuk arriti kurrë që ta ekzekutonte Erion Alibej, i cili u vendos në pranga nga Policia./ZËRI