
Megaoperacioni i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet italiane, ka rikthyer në vëmendje rolin dhe fuqinë e grupeve shqiptare të mafias në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, veçanërisht në shtetin fqinj, Itali.
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja Fatjona Mejdini dha detaje të zgjeruara mbi skemat e trafikut dhe fuqizimin e grupeve shqiptare në territorin italian. Sipas saj, ekzistojnë dy rrugë kryesore të trafikut të drogës në Evropë, ku grupet shqiptare luajnë një rol qendror.
Rruga e parë, sipas Mejdinit, është ajo e kokainës që nis nga Amerika Latine dhe mbërrin në portet kryesore të Evropës si Gjermania, Holanda apo Belgjika. Prej andej, lënda narkotike transportohej me makina drejt rajonit të Puglias në jug të Italisë për t’u shpërndarë në tregun lokal.
Rruga e dytë përfshin heroinën, e cila mbërrin nga Turqia përmes të ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike”, hyn në Shqipëri dhe më pas dërgohet drejt Italisë përmes Portit të Durrësit. “Ka një element shumë të veçantë, shumë interesant. Ne zakonisht flasim për grupe shqiptare në trafikun e kokainës. Në këtë rast ne i gjejmë në tri nga drogat më kryesore sot në Evropë: kokainë, heroinë dhe kanabis”, theksoi Mejdini.
Ajo shtoi se grupet shqiptare janë tashmë aq të konsoliduara, saqë mafia lokale italiane në Bari furnizohet prej tyre. “Duhet të sjell vetëm një element, e për ta thjeshtëzuar paksa skemën. Ajo që Prokuroria e Barit i shkoi pas, ishte një grup, ishte një celulë në fakt. Ishte një celulë shqiptarësh, e cila operonte në Bari. Përmes përgjimit të kësaj celule, u kuptua që furnitorët e saj janë pikërisht grupet që Klodi flet. E është një grup i strukturuar kriminal, i cili ka pasur pozicione shumë të mira, duke qenë grosistë në portet kryesore të Evropës. Arrinte të transportonte kokainë dhe përmbushte nevojat e zonës së Puglias me kokainë”, sqaroi ajo.
Gazetarja ngriti edhe një pyetje thelbësore mbi avancimin e mafias shqiptare: “Po flasim për jugun e Italisë. Po flasim për Puglian, për zona ku ka qenë historikisht mafia prezente. Si është e mundur që grupet shqiptare arritën të përmbushin nevojat lokale të Italisë me kokainë, me heroinë dhe me kanabis? Kjo është vërtet si të thuash një avancim.”
I pyetur nga moderatori Blendi Fevziu nëse grupet italiane nuk kishin më kontrollin, Mejdini konfirmoi ekzistencën e një marrëdhënieje bashkëpunimi: “Janë edhe ato. Në fakt dosja, prej 1353 faqesh, jepte edhe këtë lidhjen simbiotike midis grupeve. Jepte se si bashkëpunonin me njëra-tjetrën. Nuk është gjë e vogël kjo që ka ndodhur me grupet shqiptare, që në tokën e mafias të shkosh dhe grupet italiane lokale ta kenë interesin që të japin atë ‘OK’ që ti të vazhdosh të punosh, në mënyrë që edhe ata të forcohen.”
Sipas saj, grupet lokale italiane në Barit janë sot klientë të mafias shqiptare. “Domethënë, dosja e tregon këtë fare qartë. Unë këtu mendoj që është shumë e rëndësishme për ta parë”, përfundoi Mejdini. /korrieri