
Në katër zgjedhjet e përgjithshme të fundit, Partia Demokratike ka ndjekur strategjinë e përfshirjes së kryetarëve të partive aleate në listat e saj, duke krijuar koalicione parazgjedhore. Kjo qasje u përsërit edhe në zgjedhjet e 11 majit, ku forca të ndryshme politike, si Partia e Lirisë, Partia Republikane, PDIU, PBDNJ dhe PAA, përfshinë përfaqësuesit e tyre në listat e mbyllura të PD-së.
Analiza e rezultateve në qarkun e Tiranës, ku disa nga këto parti kishin kandidatë në pozicione të sigurta, tregon se aleatët kanë përfituar më shumë sesa kontributi i tyre për shtimin e votave në koalicionin e djathtë.
Partia e Lirisë, për shembull, ka siguruar dy mandate të sigurta në Tiranë, ndërsa kryetari i saj, Ilir Meta, që garoi në listën e hapur, arriti të grumbullojë 7,092 vota, me një numër të konsiderueshëm kutish ende të pa numëruara dhe mbi 42 mijë zarfe të Diasporës që mbeten për t’u hapur. Në bazë të këtij rezultati, Partia e Lirisë siguroi një përfaqësim të konsiderueshëm vetëm në këtë qark.
Nga ana tjetër, situata për PDIU-në është edhe më e diskutueshme. Mesila Doda, kandidate në listën e sigurt të demokratëve, fitoi një mandat deputeteje, ndërsa kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, arriti të marrë vetëm 1,786 vota nga lista e hapur, duke mos siguruar përfaqësim të mjaftueshëm.
Kjo situatë kontrastoi me rezultatin e Ilir Alimehmetit, kandidatit të Partisë Demokratike, i cili grumbulloi mbi 16 mijë vota, por mbeti jashtë Kuvendit. Ky rezultat ka ngjallur kritika mbi mënyrën e ndarjes së mandateve dhe formulën e bashkëpunimit brenda koalicionit, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e kësaj strategjie për të maksimizuar përfaqësimin e Partisë Demokratike. /korrieri