
Presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy ka folur rreth situatës së pazakontë në Shtëpinë e Bardhë, ku u kritikua nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe zëvenëspresidenti amerikan, JD Vance për luftën në Ukrainë.
Lideri ukrainas e përshkroi takimin si një moment me qëndrime të hapura dhe të ndryshme mes dy udhëheqësve të vendeve, por tha se nuk e shihte të nevojshme të kërkonte falje. Ai shtoi se dëshironte që Trump të ishte “më shumë në anën tonë” pasi presidenti amerikan kishte thënë se ishte mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Do të jetë e vështirë për ne”, tha presidenti ukrainas, duke iu përgjigjur gazetarit amerikan të Fox News, Brett Baier i cili e pyeti nëse Ukraina mund të fitojë apo të rezistojë ndaj Moskës pa mbështetjen e Uashingtonit.
“Prandaj jam këtu. Prandaj po flasim për negociatat e ardhshme. Do të jetë e vështirë pa mbështetjen tuaj. Nuk i detyrohem asnjë ndjesë Trumpit. E falënderoj për ftesën dhe e respektoj. Disa biseda nuk duhet të zhvillohen përpara mediave, me gjithë respektin për demokracinë dhe shtypin e lirë. Unë dua paqe, prandaj erdha këtu për të takuar presidentin Trump. Nuk mjafton të thuhet ‘armëpushim’, ne duam një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Dua garanci sigurie nga SHBA. Një armëpushim pa garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara është një çështje shumë e ndjeshme për popullin tim. Askush nuk e dëshiron përfundimin e luftës më shumë se ne. Jam shumë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre. Na keni ndihmuar të mbijetojmë. Respektoj presidentin dhe popullin amerikan. Do të doja që Trump të ishte më shumë në anën tonë dhe jo në mes, sepse lufta nisi sepse Putini na sulmoi. Dorëheqje? Duhet të vendosë populli ukrainas. Vetëm ukrainasit mund të vendosin nëse unë duhet të bëj një hap pas apo jo. Amerikanët zgjedhin presidentin e tyre, ukrainasit zgjedhin të tyrin. Kështu funksionon. Dua të ruaj marrëdhënien me Trump” -u shpreh Volodymyr Zelenskyy në një intervistë për Fox News.
Takimi
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u largua prej Shtëpisë së Bardhë, pas një diskutimi të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump. Trump kërkoi që Ukraina të nënshkruajë marrëveshje me SHBA për minerale, ndërsa Zelenskyy i kërkoi ndihmë konkrete për të larguar Rusinë dhe jo të humbin qytete të tërë pas luftës. Presidenti amerikan e akuzoi homologun ukrainas se po “e vendos veten në një pozitë të tmerrshme” dhe se “nuk ka asnjë kartë në dorë” për një marrëveshje’. Pas debatit të ashpër Zelenskyy u largua nga Shtëpia e Bardhë. /korrieri