
Një operacion i përmasave të mëdha kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës është duke u zhvilluar që në orët e para të mëngjesit në disa qytete të Shqipërisë dhe Italisë. Operacioni “Ura” është ndërmarrë nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare, me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertit për Sigurinë në Tiranë dhe Policisë Shqiptare, nën koordinimin e Eurojust-it dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Romës.
Janë lëshuar 52 urdhër-arreste në qytete si Durrës, Vlorë dhe Fier, ndërsa janë sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro, përfshirë prona të luajtshme dhe të paluajtshme në Shqipëri dhe Itali. Në operacion marrin pjesë agjentë të BKH-së, Policisë së Shtetit dhe Antimafias italiane.
Burime konfirmojnë se ndër personat nën hetim janë biznesmenë, zyrtarë, punonjës policie, personazhe të njohur të botës së krimit dhe një avokat. Deri më tani janë arrestuar tre persona në Fier, Vlorë dhe Durrës, ndërsa është lëshuar urdhër-arrest për Ervis Doçin, i njohur si “Visi i Pojës”, për administratorin e agjencisë “Ligori Travel”, Ligor Çombashi, një avokat nga Durrësi, një ish-punonjës policie dhe një tjetër person të identifikuar si Orges Molla.
Në orën 10:30 pritet një konferencë e përbashkët për shtyp me pjesëmarrjen e kreut të SPAK, Altin Dumani, kryeprokurorit të Barit, Roberto Rossi, drejtorit të Antimafias italiane, gjeneral Michele Carbone dhe përfaqësuesit të Eurojust për Italinë, Gianluca Forlani.
Sipas njoftimit të DIA-s, hetimet janë pjesë e një projekti të gjerë për çmontimin e rrjeteve kriminale shqiptare që trafikojnë kokainë dhe heroinë drejt Europës Veriore përmes Ballkanit dhe Italisë. Operacioni “Ura” është vazhdim i operacioneve të mëparshme “Shefi”, “Kulmi” dhe “Shpirti”.
Kontrolle janë ushtruar në disa qytete të vendit, ndërsa hetimet vazhdojnë edhe në territorin italian. /korrieri