
Operacioni i përbashkët Shqipëri-Itali, i koduar “Ura”, ka çuar në sekuestrimin e një sërë pasurish me vlerë miliona euro, përfshirë kompani, biznese dhe televizione të lidhura me trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Të paktën shtatë subjekte tregtare janë vendosur nën sekuestro preventive nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane.
Sipas burimeve zyrtare, nën sekuestro janë vendosur:
- Shoqëria “Marquez” në pronësi të Ervin Zeqirit
- “Felix Vinum” e Adi Çobës
- “Majestic Konstruksion” e Juxhin Drazhit
- “Portside” e Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës
- “Dubai Inn” dhe “Vlora Cable”, në pronësi të Nexhmedin Danajt
- Një kompani tregtare për shitblerje makinash, në emër të Olgert Shqevit
Sipas hetimeve, këto pasuri dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës dhe janë përdorur për pastrimin e parave.
Në qendër të hetimeve ndodhet biznesmeni Nexhmedin Danaj, i dyshuar si një nga figurat kryesore të rrjetit. Ai rezulton pronar i kompanisë “General Trading LLC” me seli në Dubai, përmes së cilës dyshohet se qarkullonte para të pista nga trafiku i kokainës. Danaj është gjithashtu ortak me 30% në televizionin “Vlora Cable”, së bashku me vëllain e tij Vexhi Danaj.
Përfshirë në dosje është edhe Algerta Fejzulla, e cila më parë ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Zyrës Përmbarimore në Vlorë dhe është arrestuar në 2014 për korrupsion. Bashkëshortja e Danajt, Fejzulla themeloi në vitin 2023 kompaninë “Dubai im” në Lungomare, e regjistruar si agjenci turistike, por që dyshohet të jetë përdorur për lëvizjen e kapitalit të paligjshëm. Emri i saj është rikthyer në qendër të vëmendjes si pjesë e këtij rrjeti të dyshuar kriminal.
Operacioni “Ura” synon goditjen e grupeve kriminale që operojnë mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke përfshirë masat e sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe urdhra arresti për 52 persona të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. /voxnews