
Vau i Dejës u trondit mbrëmjen e djeshme nga një vrasje me armë zjarri. Frrok Lleshaj, 65 vjeç, ish-efektiv i Policisë deri në vitin 1994, po ecte në rrugë kur u qëllua për vdekje me pistoletë, një kalimtar gjeti trupin. Lleshaj u ekzekutua shumë pranë banesës së tij.
Lleshaj mësohet se ka qenë më parë i dënuar për krimin e vrasjes së kushëririt të tij Dodë Lleshaj tre dekada më parë, ndaj edhe pista kryesore e hetimit mbetet ajo e një gjakmarrjeje të mundshme.
65-vjeçari kreu vrasjen për të cilën u arrestua më 1995, por u arratis në vitin 1997 nga burgu gjatë trazirave. Sipas të dhënave, mësohet se Lleshaj, u arrestua më vonë, ku vuajti dënimin e Gjykatës së Shkodrës të vitit 2006 dhe u lirua më 2023. Nuk ka pranuar asnjëherë se ka qenë autor i vrasjes se kushëririt, por pavarësisht deklaratave në Gjykatë, ai është dënuar.
Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 25 vite burgim në vitin 2006, dënim që e kishte përfunduar dy vite më parë, kur ishte liruar nga qelia. Familja e kishte braktisur pas daljes nga burgu dhe merrej me blegtori.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve. Po verifikohet edhe aktiviteti i viktimës pas daljes nga burgu dy vite më parë.