
Shqipëria zë vendin e fundit mes 35 vendeve europiane sa i përket shpenzimeve për pensione për frymë. Sipas Monitor me vetëm 1,600 euro për pensionist në vit, vendi mbetet shumë larg mesatares së Bashkimit Europian, e cila arrin në 16,100 euro. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria shpenzon vetëm 5.3% për pensione, kundrejt 9.3% që shpenzon mesatarisht BE-ja.
Ndërkohë, Mali i Zi, edhe pse me të njëjtën përqindje të PBB-së si Shqipëria (5.3%), arrin të japë 4,000 euro për pensionist në vit, më shumë se dyfishin e Shqipërisë. Islanda, Luksemburgu dhe Norvegjia kryesojnë renditjen, me pagesa vjetore pensioni mbi 30,000 euro për përfitues. Pagat e larta, të ardhurat e qëndrueshme fiskale nga energjia apo sektori financiar, si dhe sistemet e detyrueshme të kursimeve për pension, u japin këtyre ekonomive të vogla dhe të pasura mundësinë të ofrojnë përfitime bujare për të moshuarit.