
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e shoqëruar nga Komisioneri për Parandalimin e Torturës, paska vizituar në qelitë e paraburgimit 313 ish-presidentin e vendit, Ilir Metaj.
Avokatja e Popullit dhe Komisioneri që e shoqëronte paskan dëgjuar nga afër pretendimet e ish-kreut të Shtetit.
Ish-Presidenti ka ngritur pretendime lidhur me mënyrën e arrestimit, duke e konsideruar atë si rrëmbim.
Me rastin e vizitës së njoftuar nga Avokatja e Popullit mbi bazën e ankesës së Ilir Metajt, zyra e Avokatit të Popullit paska nisur një hetim administrativ.
Gjatë këtyre muajve, që nga tetori i 2024 kur u arrestua kryetari i Partisë së Lirisë, zyra e Avokatit të Popullit paskan kërkuar edhe informacion nga Policia e Shtetit lidhur me planin operacional për arrestimin e Ilir Metajt.
Është interesant fakti që Avokatja e Popullit ka angazhuar për rastin Komisionerin që Parandalon Torturën.
Është si të thuash që torturë nuk ka pasur, por paska rrezik që të ndodhë.
Urdhëri për Avokaten e Popullit doli nga goja e Berishës, por ai urdhër pune përfshinte edhe “të torturuarin” tjetër, Erjon Veliaj.
Për të cilin nuk raportohet ende nëse qenka angazhuar ky i Parandalimit të Torturës.
Avokati i Popullit është institucioni që i jep zë ankesave dhe mbrojtjes së të drejtave të atyre që zë nuk kanë. Ndaj edhe quhet Avokat i Popullit.
Zyra e Avokatit të Popullit, nëse ka dyshime për shembull për përdorimin e torturës në burgje, duhet të hetojë mjetet, procedurat, personat që instalojnë përdorimin e torturës.
Me atë rast, Zonja Avokate duhet minimalisht që intervistën e të paraburgosurit Metaj ta bënte njëjtë me të gjithë banorët e ambienteve ku jeton për momentin ish-Presidenti Metaj.
Që të dukej sikur po merrej me popullin.
Por Zonja Ballanca, Ilir Metaj dhe Erjon Veliaj nuk janë popull.
Janë personazhe VIP. Për komunikimin me media, gazetarë, avokatë ata kanë hapësira pa fund. Bilé shumë i lusin që ta bëjnë në nevojë klikimesh.
Avokati i Popullit është aty për t’i dhënë hapësirën dhe zërin që mungon për shtresa që nuk e njohin Berishën e për të cilët Berisha nuk interesohet live në konferenca shtypi.
Nuk janë popull, me pak fjalë.
Dhe Zonja Ballanca me atë rast nuk po bën detyrën. Thjesht po mbush dosjen e avokatëve të Ilir Metajt me metoda kaq të trasha, saqë dhe populli që s’ka mundësi të ketë as avokat dhe as Avokat të Popullit për persona i kupton qartë./vna