
Flodian Plaku, një prej emrave më të shumëkërkuar nga policia, përfundoi në pranga pasditen e së dielës në Orikum, Vlorë. Operacionalja dhe forcat e Policisë së Vlorës ranë në gjurmët e tij, thuajse dy muaj më parë, kur morën informacion se Plaku kishte marrë porosi për të kryer vrasjen e një anëtari të një grupi kriminal nga Tepelena.
Përgjatë kësaj kohe u organizuan aksione, derisa arritën ta prangosnin. Plaku, në momentin e arrestimit, ndodhej në shoqërinë e Julian Aliaj, i cili po ashtu përfundoi në pranga. Aksioni për kapjen e tij konsiderohej i një rrezikshmërie të lartë, pasi i shumëkërkuari është një prej njerëzve më problematikë të botës së krimit, që dyshohet të ketë vepruar si ekzekutor në disa ngjarje në Tiranë e Vlorë.
Plaku u shpall në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pasi dyshohet si ekzekutor në atentatin ndaj Gentian Bejtjas, në Larushk të Fushë Krujës. I forti i Fushë Krujës u ekzekutua teksa ndodhej në serë ngjitur me banesën e tij në Larushk. Ai u vra në sy të gruas dhe fëmijëve.
Lidhur me atentatin e 15 marsit 2024 u arrestua Edison Haxhiu, nën dyshimet për krijim të kushteve për të kryer vrasje. Haxhiu e ka përfunduar tashmë dënimin dhe ka rifituar lirinë. Ilir Brahimi alias Ilir Beqaraj u arrestua si një prej organizatorëve kryesorë të vrasjes së Bejtjas. Beqaraj është kunati i Roan Brahimit, i cili u ekzekutua në Athinë. Flodian Plaku, sipas hetimeve, rezulton të ketë vepruar kundrejt pagesës. Ndërkohë, viktima Gentian Bejtja njihet si mik e më pas armik i përbetuar i vëllezërve Durim e Valter Bami. Ai iu kishte mbijetuar disa atentateve radhazi, ku në njërën nga ngjarjet e rënda iu vra kunati dhe u plagosën djemtë e mitur. Bejtja dyshohej për përfshirje në krime të rënda.