
Nga Denada Jushi
“Ne jemi krijuar si vullnet i klasës politike dhe partnerëve ndërkombëtarë. Si të tillë, respektojmë çdo vendim që ka në thelb ligjin dhe kushtetutën.”
Kështu u shpreh sot kreu i SPAK, Altin Dumani, kur u pyet mbi rrezikun që mund t’i kanoset këtij institucioni nga politika. Një përgjigje institucionale, e pjekur dhe në kufijtë e korrektësisë por në thelb, në të vertetë është një alarm i heshtur.
Sepse po, SPAK rrezikon nga politika.
Dhe ky rrezik nuk është më një teori abstrakte. SPAK është i pranishëm në sulmet verbale, në përpjekjet për ta delegjitimuar, në thirrjet për “pastrim” institucional, dhe së fundmi, në gjuhën e koduar që përdoret nëpër studio televizive për të relativizuar punën e tij.
Një institucion që guxoi atje ku të tjerët heshtën
Në 5 vite e 8 muaj, SPAK ka arritur aty ku drejtësia shqiptare nuk kishte guxuar për tri dekada. Ka hetuar dhe ndjekur penalisht zyrtarë të nivelit të lartë, ka sekuestruar pasuri me vlera marramendëse, ka ndërmarrë dosje që për dekada ishin konsideruar “të paprekshme”.
A vend për përmirësim dhe a mund të bëjë më mirë? Gjithmonë.
Por e vërteta është se ky institucion është i vetmi që po lufton me rezultate reale një sistem të ndërtuar për pandëshkueshmëri.
E kur politika ndjen rrezik, hakmerret me ligj.
Shembulli më i afërt është Ukraina. Në kulmin e një lufte shkatërruese, Presidenti Zelensky miratoi një ligj që kufizonte kompetencat e Prokurorit Special. Reagimi ishte i menjëhershëm: protesta masive, presion nga partnerët ndërkombëtarë dhe një kundërligj që riktheu pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Në Shqipëri, jemi ende në fazën ku rreziku artikulohet nën zë, por qëllimi është i njëjtë: neutralizimi institucional i SPAK-ut, pa e mbyllur zyrtarisht.
Ndryshimet ligjore të mbuluara si “ristrukturim”, emërimet me peshë politike në organet e vettingut, goditja morale përmes gjuhës publike janë disa nga metoda më të sofistikuara se censura, por po aq të rrezikshme.
A do të reagojë shoqëria shqiptare?
Kjo është pyetja thelbësore. Në Ukrainë, qytetarët protestuan për të mbrojtur drejtësinë edhe ndërsa bombat binin mbi qytetet e tyre. Sepse drejtësia është më shumë se një luks i kohës së paqes, është themeli i vetë shtetit demokratik.
Po në Shqipëri? A do të mjaftohemi me komente në rrjete sociale? A do ta shohim zhdukjen e një shprese të vërtetë pa bërë asgjë?
Nëse nuk jemi gati të mbrojmë atë që na shërben, atëherë nuk na mbetet tjetër veçse të pranojmë moçalin ku korrupsioni dhe padrejtësia nuk janë më përjashtime, por normë.
Por duhet të dimë se çfarë është në rrezik?
Mbi 180 milionë euro pasuri të sekuestruara në dy vite.
Dosje penale kundër ish ministra, deputetë, kryebashkiakë.
Goditje të krimit të organizuar me mbështetje ndërkombëtare.
I Vetmi institucion që ende vepron si i pavarur.
Dhe të gjitha këto mund të zhbëhen me një ndryshim të vogël ligjor, një rotacion brenda sistemit, ose thjesht, me mungesën e reagimit qytetar.
SPAK nuk ka nevojë për himne patriotike apo duartrokitje në studio. Ka nevojë për një gardh qytetar, për ndërgjegjësim, dhe mbrojtje institucionale nga ata që e krijuan vetëm për ta kontrolluar, e jo për ta lënë të veprojë i lirë.
Sepse nëse sot nuk ngrihemi në mbrojtje të drejtësisë, nesër nuk do kemi më as të drejtën të ankohemi.