
Kjo e enjte, 31 korrik, përcakton afatin e fundit të lirimit të hapësirave në akset kombëtare. Bizneset duhet të lirojnë vullnetarisht hapërsirat në rrugët nacionale, duke respektuar distancat sipas aktit normativ të qeverisë, 20 metra nga kanalet e rrugës. Pas këtij afati, në 1 gusht, do të nisë ndërhyrja e IKMT-së dhe gjobat për të gjitha bizneset që refuzojnë të binden.
Siç është paralajmëruar më herët, nëse bizneset nuk i lirojnë vetë këto hapësira të zëna, në aksion do të ndërhyjë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Përveç kësaj, bizneset do të përballen edhe me gjoba e ndjekje penale.
Ndërkohë, përjashtim do të ketë për bizneset e ndërtuara me leje, për të cilat kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një riorganizim të hapësirës së tyre. Sipas kryeministrit së shpejti do tu dorëzohet një plan i ARRSh-së, i cili do të parashikojë riorganizimin për bizneset me leje, ku Rama thotë se gardhet kufizuese do t’i tërheqin në maksimumin e mundshëm.
Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin.