
Një pjesë e bizneseve që operojnë në pedonalen e qytetit të Korçës për dy orë nuk kanë ofruar shërbim ndaj klientëve, si shenjë proteste ndaj aksionit të qeverisë për lirimin e hapësirave publike. Niko Treska, Endri Bakullati dhe Olsi Xhambello janë tre prej biznesmenëve që kanë mbyllur bizneset e tyre në pedonale dhe mbi xhama kanë ngjitur fletushka si mesazhe për pushtetin vendor dhe jo vetëm.
Ata kërkojnë shtyrjen e afatit të prishjes së strukturave metalike të biznesit të tyre, pasi sipas tyre, në gusht presin fluksin më të madh të turistëve dhe prishja e biznesit do të ndikojë tek të ardhurat e tyre. Ndaj kanë varur disa pyetje për të cilat ende nuk kanë marrë përgjigje.
-Ku fshihet qëllimi real? Doni të na zboni nga Shqipëria?
-Pse kjo arrogancë? Pse kjo prepotencë? Pse ky diktat?
-Flitet për partneritet qeveri-biznes por ndjemë pabesi dhe pasiguri.
Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë Korçë Sotiraq Filo tha se në takimin që ka patur me grupet e interesit që operojnë në pedonale u ka kërkuar të respektojnë afatin deri në datën 2 Gusht.