
Në Bashkinë e Tiranës pritet të prezantohen 4 nënkryetarët e rinj të bashkisë. Burime të VNA bëjnë me dije se bëhet fjalë për emra jo shumë të njohur, të përzgjedhur nga dyshja Balluku-Manastirliu. Mes emrave të përzgjedhur nuk bën pjesë Anuela Ristani, e përzgjedhur për fazën tranzitore të kalimit të drejtimit të Bashkisë së Tiranës nga stafi i Veliajt tek të preferuarit e kryeministrit.
Me gjasë, në vazhdim Bashkia e Tiranës do të drejtohet me filozofinë e vjetër të ish-kryetarit të saj Edi Rama, i cili zgjodhi për të administruar në vazhdim burimet njerëzore (dhe jo vetëm) dy ish-bashkëpunëtoret e tij në këtë bashki, tashmë ministre të kabinetit qeveritar. Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu u panë shumë afër Edi Ramës kur ky i fundit drejtoi mbledhjen e fundit në këtë bashki, dhe ku pritet të nisë një erë e re: ajo e rikthimit të epokës së Ramës në bashki.
Me gjasë, shumë afër shtatorit do të ketë edhe zgjedhje të reja për Bashkinë e Tiranës. Pas burgosjes së Veliajt dhe vendimit kundër tij të Gjykatës së Lartë, gjasat janë që kryeqyteti të ketë një garë të re. Kryetari që do të zgjidhet do të gëzojë mandat të kufizuar deri në zhvillimin e zgjedhjeve lokale për gjithë Shqipërinë. Por kjo periudhë mund të shërbejë fare mirë edhe si një test për kandidatët e mundshëm. Nuk ka ende asnjë zhvillim përsa i përket emrave të kandidatëve.