
Administratorët e 8 subjekteve të këmbimit valutor në Elbasan janë proceduar penalisht pasi akuzohen se fshihnin të ardhurat që përfitonin.
Policia thote se nga keto subjekte jane sekuestruar rreth 54 000 000 lekë në valuta të ndryshme dhe 1 armë sportive pistoletë me fishekë manovër.
Njoftimi:
DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “The Script”.
Fshihnin të ardhurat që përfitonin nga këmbimi i valutave, procedohen penalisht administratorët e 8 subjekteve.
Sekuestrohen nga këto subjekte, rreth 54 000 000 lekë në valuta të ndryshme dhe 1 armë sportive pistoletë me fishekë manovër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me struktura të tjera të DVP Elbasan, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, operacionin policor të koduar “The Script”.
Gjatë operacionit, janë ushtruar kontrolle në disa subjekte për këmbimin e valutave (exchange), në qytetin e Elbasanit. Nga kontrollet rezultoi se administratorët e 8 subjekteve të tilla nuk deklaronin të ardhurat që përfitonin.
Në përfundim të veprimeve për këto raate, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për administratorët e 8 subjekteve, shtetasit: K. B., 65 vjeç, S. T., 56 vjeç, I. I., 64 vjeç, R. T., 59 vjeç, A. T., 66 vjeç, E. Z., 22 vjeç, N. B., 37 vjeç dhe Z. B., 40 vjeç, të gjithë banues në Elbasan.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 54 000 000 lekë në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paund britanik, lira turke etj), dhe 1 armë sportive pistoletë me fishekë manovër, që u gjet gjatë kontrollit në subjektin e shtetasit A. T.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.