
Është zbardhur dinamika e plotë e ngjarjes së rëndë në Tiranë, ku 52-vjeçarja Kozeta Teço u gjet pa jetë në banesën e saj mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, ndërsa shtëpia ishte përfshirë nga flakët.
Fillimisht dyshohej se viktima kishte ndërruar jetë nga asfikësia, por hetimet zbuluan plagë me thikë në qafën e saj, duke çuar në përfundimin se kemi të bëjmë me një vrasje. Autori i dyshuar është Ilirjan Selmani, 37 vjeç, me të cilin Teço kishte një lidhje 8-vjeçare.
Sipas policisë, Selmani e ka vrarë fillimisht Teçon, ka pastruar vendin e ngjarjes dhe më pas ka ndezur disa vatra zjarri në banesë për të zhdukur provat. Ai është kapur nga kamerat e sigurisë duke hedhur në një kosh mbeturinash afër banesës materiale të përgjakura, përfshirë peshqirë dhe peceta, të cilat u sekuestruan si prova.
Autori dyshohet se ka pasur probleme të shëndetit mendor dhe përfitonte pagesë invaliditeti. Ai kishte punuar herë pas here në ndërtim dhe jashtë vendit, kryesisht në Greqi, dhe dyshohet gjithashtu për përdorim të lëndëve narkotike.
Në dëshmitë e para, persona të afërt me viktimën kanë treguar se Selmani i kishte përfituar prej saj rreth 20 milionë lekë gjatë viteve të lidhjes, para që vinin kryesisht nga motrat e saj që jetonin jashtë.
Pas krimit, Selmani është takuar me disa të njohur, duke pretenduar se kishte vendosur të ndahej nga Kozeta pasi ajo kishte nisur një lidhje tjetër – një pretendim që dyshohet të ketë qenë pjesë e një alibie për të shmangur dyshimet.
Aktualisht ai ndodhet në komisariat dhe po merret në pyetje për të sqaruar motivet e ngjarjes.