
Informacionet e para që dolën për sherrin në qytetin e Vlorës, ku një 18-vjeçar, kamarier në një hotel në zonën e Skelës, u godit nga dy persona, njëri prej të cilëve është oficer policie në detyrë, mesa duket ishin vetëm njëra anë e ngjarjes.
Sipas pamjeve filmike që kanë bërë xhiron e rrjetit dhe të publikuara fillimisht nga Korrieri , Ardian Isufi, nënkomisar policie, aktualisht në shërbim në Komisariatin e Policisë Kufitare në Dibër, shihet duke e kapur për qafe 18-vjeçarin, ndërsa shoku i tij, Leart Bimo, 57 vjeç, e godet të riun. Ajo që rëndon më tej situatën është se oficeri Isufi nuk ndërhyn për të ndaluar dhunën, por duket i përfshirë në konflikt.
Menjëherë pas ngjarjes, Ardian Isufi është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Vlorës. Për ngjarjen reagoi edhe kryeministri i cili dënoi veprimin e oficerit që më pas u duk qartë se nuk ishte informuar plotësisht për ngjarjen.
Por ngjarja mori një tjetër kthesë tjetër, pasi ajo që ndodhi pas konfliktit të parë, është edhe më e rëndë. Oficeri Ardian Isufi është dhunuar rëndë nga pronari i lokalit, Vasil Bedinaj, së bashku me menaxherin dhe të paktën nëntë persona të tjerë. Paraditen e të hënës,Korrieri raportoi se ai aktualisht ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore, me fraktura në trup dhe fytyrë, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente në orët e para të mëngjesit.
Anën tjetër të ngjarjes e shpjegoi vëllai i oficerit të dhunuar, Flamur Isufi, i cili ka hedhur dritë mbi një tjetër version. Ai pretendon se vëllai i tij nuk ishte personi që e ka goditur kamarierin, por përkundrazi ishte përpjekur ta qetësonte situatën.
“Vëllai im është qytetar i thjeshtë në atë moment. Po, të mbajë përgjegjësi nëse ka bërë ndonjë gabim. Por është turp që një oficer policie rrihet barbarisht nga 15 persona. Ne nuk e rrahim një njeri në shtëpinë e vet. Kërkoj vetëm të dalë e vërteta. Ai është tani në reanimacion, me shpatull të thyer dhe fraktura në fytyrë”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Flamur Isufi shtoi se pas incidentit fillestar, palët ishin ulur dhe kishin kërkuar ndjesë ndaj njëri-tjetrit, përfshirë edhe babain e 18-vjeçarit. Ai kërkoi publikimin e plotë të pamjeve për të zbardhur të vërtetën e plotë, duke akuzuar se jo të gjithë faktet janë bërë publike.
Pikërisht mbrëmjen e sotme, pamjet e plota janë shpërndarë nga avokati i të dhunuarit, Kujtim Cakrani, të cilat tregojnë qartë momentin kur oficeri dhunohet në mënyrë çnjerëzore brenda ambjenteve të hotelit, mes paniku dhe njerëz që largohen me shpejtësi.
Rasti i dhunës ndaj një kamarieri të ri është i rëndë dhe kërkon ndëshkimin e çdo forme abuzimi me pushtetin, sidomos kur përfshihet një oficer policie si Ardian Isufi, i njohur për gangsterllëqet në Vlorë. Por, edhe vetëgjyqësia brutale ndaj një qytetari, qofshin dhe ish-punonjës policie, nuk mund të justifikohet shtet ligjor.
Në një vend ku dhuna po bëhet normë dhe linçimi publik zëvendëson drejtësinë, kjo ngjarje nuk mund të mbetet me dënime selektive, të nxituara dhe liçime publike. Të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë, ndaj një kamarieri apo një polici, duhet të përgjigjen para ligjit.