
Të gjithë po e tradhtojnë Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. E para që u rrëfye në SPAK ishte një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Xoxës, e cila sot gëzon statusin e të penduarës së drejtësisë dhe konsiderohet si prova më e fortë kundër çiftit Veliaj-Xoxa.
Por ajo nuk është e vetmja. Ina Goxhaj ka dëshmuar për presione që t’i mbyllë gojën SPAK-ut, ndërsa për këtë rast është marrë e pandehur edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Edhe gardiani i paraburgimit ka rrëfyer se Veliaj ka telefonuar gjatë shoqërimit për në gjykatë, ndërsa një tjetër “rrokullisje” erdhi nga biznesmeni Gentian Sula, i cili ndryshoi dëshminë dhe rrëzoi përpjekjen e Xoxës për të justifikuar 115 mijë eurot e gjetura në kasafortën e studios Partner Law me një kontratë fiktive shit-blerjeje.
Ndërkohë, në skenë del edhe Abigela Voshtina, ish-drejtoreshë e Teatrit të Operas dhe Baletit, e cila ka deklaruar se Ajola Xoxa ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë për mënyrën si duhej të menaxhoheshin paratë publike për aktivitetet kulturore, përmes organizatës Harabel. Sipas saj, Xoxa jo vetëm që urdhëronte për shumat dhe operatorët ekonomikë, por edhe përdorte emrin e bashkëshortit për të imponuar firmosjen e dokumenteve që, siç tha Voshtina, “nuk ishin konform ligjit”.
SPAK deri tani ka marrë në pyetje 97 dëshmitarë në hetimin që po zhvillon ndaj kryebashkiakut të Tiranës, gruas së tij dhe të pandehurve të tjerë. Prokuroria e Posaçme thotë se ka prova të forta për fajësinë e Veliajt, ndërsa ai e konsideron procesin si një ndjekje “kafkiane” që po e mban padrejtësisht në qeli. /vna