
Dy persona janë arrestuar në Kavajë në kuadër të operacionit policor të koduar “Precedenti”. Blutë bëjnë me dije se Shtetasit Nazim Liçi 29-vjeç dhe Gentina Gjyzeli 46-vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur shuma parash në një banesë dhe në një automjet, në fshatin Qerret të Kavajës. Mësohet se Liçi është me precedent të theksuar kriminale, ndërsa ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Në vitin 2024, rezulton se 29-vjeçari ishte arratisur nga ambientet e DVP Elbasan, ndërsa dyshohet se ishte strehuar në banesën e 46-vjeçarit.
Në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar një shumë parash, një automjet, tre celularë dhe veshje të përdorura nga autorët, gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Njoftimi i Policisë
Kavajë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Precedenti”.
Zbardhen vjedhje të kryera nga 2 shtetas.
Vodhën shuma parash në një banesë dhe në një automjet në një fshat të Kavajës, në pranga 2 autorët e dyshuar.
Njëri prej të arrestuarve, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve, ishte shpallur në kërkim, pasi në vitin 2024 është larguar nga Komisariati i Policisë Elbasan, ku ishte shoqëruar për një vjedhje.
Sekuestrohen një shumë parash, një automjet, tre celularë dhe veshje të përdorura nga autorët, gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Si rezultat i hetimeve të kryera me objektiv zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale, Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Precedenti”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
N. L., 29 vjeç, banues në Elbasan dhe G. Gj., 46 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dhe provat e siguruara (përfshirë pamjet filmike), ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur shuma parash në një banesë dhe në një automjet, në fshatin Qerret, Kavajë.
Shtetasi N. L. ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në muajin dhjetor 2024, është larguar nga ambientet e DVP Elbasan. Javën e fundit ai dyshohet se është strehuar në banesën e shtetasit G. Gj.
Vijojnë hetimet për të dokumentuar vjedhje të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.