
Është përkeqësuar situata me zjarret në jug të vendit, veçanërisht në Borsh, ku flakët i janë afruar plazhit. Rruga kryesore Himarë-Sarandë pranë Borshit momentalisht është e pakalueshme për shkak të rrezikut nga flakët që kanë pushtuar fshatin turistik.
Si rrjedhojë, autoritetet janë detyruar të kryejnë evakuimin e shumë banorëve të cilët jetojnë në banesat që rrezikohen nga zjarri masiv, si dhe pushuesit e akomoduar në hotelet e Borshit.
Deri dje, kritike raportohej situata edhe në Sasaj e Piqeras gjithashtu.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes Piro Vengu raporton se në Borsh, Piqeras dhe Sasaj ka rinisur aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore për të neutralizuar zjarret që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit.
Gjithashtu, ai bën me dije se teksa zjarrëfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh gjatë natës siguruan perimetra sigurie përreth banesave, Policia e shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile ndihmuan banorë dhe pushues të evakuohen nga zonat më të rrezikuara, duke shoqëruar drejt sigurisë 40 prej tyre.