
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të enjte kabinetin qeveritar në një takim të zhvilluar në periferi të Tiranës, me dyer të mbyllura për median. Mbledhja është fokusuar në analizën e performancës së ministrive, ndërsa ministrat kanë raportuar për ecurinë e punës dhe realizimin e detyrave të dhëna më herët nga kreu i qeverisë.
Takimi vjen pas një vale shkarkimesh në bashki, ku nëndrejtorë dhe drejtues të institucioneve lokale janë larguar nga detyra. Tashmë vëmendja është zhvendosur te ministrat, për të cilët pritet të nisë një proces “përgjegjësie dhe ndëshkimi” në prag të nisjes së punës së parlamentit të ri në shtator.
Edi Rama nuk e ka fshehur synimin për një kabinet me emra të rinj dhe të pakonsumuar, duke reflektuar, sipas analistëve, strategjinë e tij të njohur për të prodhuar “efektin fasadë”, si në qytet, ashtu edhe në qeveri.