
SPAK i ka dhënë statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë njërës prej personave më të besuar të Ajola Xoxës, e cila ka rrëfyer me detaje skemën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Bëhet fjalë për trurin financiar të kompanive të Xoxës, Adela Kondakciu, e cila është një prej 30 të pandehurve, mes tyre edhe Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa.
Kondakciu ka dëshmuar për SPAK detaje që ka mësuar për shkak të punës, duke vënë në dispozicion çdo të dhënë, bilanc apo faturë. Në total, SPAK ka marrë 97 dëshmi dhe ka ngritur akuza ndaj 30 personave, shoqërive tregtare dhe OJF-ve.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i mohon akuzat, por do të duhet të përballet në Gjykatën e Posaçme me një të penduar drejtësie që ka rrëfyer kundër tij dhe Ajola Xoxës.