
Fier – Pas disa muajsh hetime nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është finalizuar operacioni policor i koduar “Parking”, që ka vënë në shënjestër abuzimet me administrimin e parkimit nëntokësor dhe lehtësitë fiskale të ofruara në mënyrë të paligjshme bizneseve në Fier.
Katër zyrtarë të rëndësishëm të Bashkisë Fier dhe Administratës Tatimore janë vënë nën masa sigurie:
- Adela Hysenaj, 34 vjeçe, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës dhe ish-Zv. Kryetare e Bashkisë Fier, është vendosur në masën “arrest në shtëpi” për veprat penale shpërdorim detyre dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave me funksione publike.
- Vasil Ceku, 41 vjeç, drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Tatimet e Fierit, është vendosur në “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për shpërdorim detyre.
- Anisa Cjapi, 38 vjeçe, drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, është pezulluar nga detyra për shpërdorim detyre.
- Martin Dodi, 57 vjeç, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit, nën akuzën për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave me funksione publike.
Sipas Policisë, të arrestuarit kanë shmangur vendosjen e kasave fiskale në parkimin nëntokësor të administruar nga Bashkia Fier, duke i shkaktuar buxhetit lokal një dëm prej rreth 40 milion lekësh. Po ashtu, përmes shpërdorimit të funksioneve të tyre, kanë lehtësuar në mënyrë të padrejtë tatimet për disa subjekte tregtare në këmbim të përfitimeve të paligjshme.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për vijimin e procedurave penale. Hetimet mbeten të hapura.