
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pritet të njihet zyrtarisht sot me akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të dosjes penale ku akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimet për këtë çështje, që përfshijnë edhe bashkëshorten e tij dhe gjashtë biznesmenë, pritet të përmbyllen formalisht gjatë ditës së nesërme, ndërsa komunikimi i akuzës do t’i hapë rrugë fazës së gjykimit.
Por paralelisht me zhvillimet procedurale, ka ardhur një reagim i fortë nga ana e ekipit mbrojtës të Veliajt. Në një deklaratë publike, avokatët e tij kanë shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si po administrohet dosja dhe kanë akuzuar SPAK-un për shkelje të rënda të procesit dhe të drejtave kushtetuese të të pandehurit.
“Veliaj nuk është njoftuar zyrtarisht për takimin e nesërm ku pretendohet se do t’i komunikohet akuza,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se “marrja e informacionit nga media përpara se nga personi në hetim është një tjetër provë e taktikave të padrejta të prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e tij.”
Ekipi ligjor ka vënë theksin mbi rrjedhjen e vazhdueshme të informacionit nga hetimi, që sipas tyre përbën shkelje të nenit 295/a të Kodit Penal mbi sekretin hetimor. “Fakti që SPAK nuk ka nisur asnjë procedim për rrjedhjet e informacioneve të ndaluara, tregon bashkëpunimin e heshtur të këtij institucioni me këtë sjellje të paligjshme,” vijon deklarata.
Pavarësisht akuzave dhe qëndrimeve të forta, avokatët nënvizojnë se kjo do të jetë hera e parë pas 163 ditësh paraburgim, që Veliaj do të ketë akses në dosje, mundësinë për të analizuar provat dhe për të paraqitur mbrojtjen e tij ligjore.
Në përfundim të reagimit, Veliaj mohon të gjitha akuzat ndaj tij, duke e cilësuar ndalimin si të zgjatur, të pajustifikuar dhe joproporcional. “Ky ndalim i tejzgjatur cenon rëndë jo vetëm të drejtat e mia si qytetar, por edhe interesin publik të qytetarëve të Tiranës që kanë votuar për këtë qeverisje,” thuhet në deklaratën përmbyllëse.
Ndaj Veliajt rëndojnë dy akuza të rënda – “korrupsion aktiv në bashkëpunim” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale” – të cilat lidhen me tendera dhe procedura publike në Bashkinë e Tiranës gjatë viteve të fundit. Me komunikimin zyrtar të akuzës, pritet që çështja të hyjë në një fazë të re me përplasje të forta mes mbrojtjes dhe prokurorisë.
Me komunikimin zyrtar të akuzës, pritet që çështja të hyjë në një fazë të re me përplasje të forta mes mbrojtjes dhe prokurorisë. Nëse shpallet fajtor, Veliaj rrezikon deri në 15 vite burg, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Shqipërisë. /korrieri