
Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në paraburgimin e Durrësit për t’i komunikuar akuzat kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjashtë muaj nga dita kur ai përfundoi në pranga me urdhër të SPAK.
Veliaj është marrë i pandehur për korrupsion në 8 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të paligjshme të sendeve në ambientet e vuajtjes së dënimit.
I pranishëm ishte dhe një prej avokatëve të tij, Artur Selmani.
Mësohet se Veliaj ka firmosur pa pretendime, ndërsa mohon të gjitha akuzat.
SPAK më herët i komunikoi akuzat bashkëshortes së tij dhe shtatë biznesmenëve.
SPAK thotë se kryetari i Bashkisë dhe bashkëshortja ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash. Përmes kompanive të kontrolluara nga Ajola Xoxa, ata kanë përfituar rryshfet një shumë prej 1 milion euro, nga biznesmenë të cilët nga ana tjetër përfitonin tendera nga Bashkia ose leje ndërtimi nga Veliaj.
Dosja për kryebashkiakun do t’i dorëzohet Gjykatës së Posaçme për gjykim më 24 shtator, kur është edhe afati i fundit i zgjatjes së hetimeve nga ana e SPAK.