
Në tetor të vitit të kaluar, Safejournalists.net, një platformë e krijuar nga shoqatat e gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, publikoi një raport që paralajmëronte për kërcënimet digjitale në rritje ndaj gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Shqipëri, veçanërisht ndaj grave.
Brenda pak ditësh, autorja e raportit, studiuesja e medias Blerjana Bino, u vu në shënjestër nga një portal online që e quajti atë “merimanga e fondeve të shoqërisë civile”.
“Sulmet ndaj meje, organizatës sime dhe partnerëve tanë nisën menjëherë pas publikimit të raportit vjetor mbi lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve”, tha për BIRN Bino, 39 vjeçe. “Personat pas këtyre sulmeve nuk kishin interes për faktet; ata donin vetëm të krijonin një histori për të minuar punën tonë, besueshmërinë dhe karakterin tonë.”
“I njihja mirë taktikat e tyre, pasi kemi monitoruar sulme të ngjashme ndaj gazetarëve të tjerë, por refuzova të lejoja që të më heshtnin apo të më intimidonin.”
Rasti i Binos është pjesë e një tendence në Shqipëri, ku gazetaret, aktivistet dhe politikanet përballen gjithnjë e më shumë me sulme online, me gjuhë fyese, fushata në rrjete sociale dhe lajme të rreme që po bëhen normë.
Sipas raportit më të fundit të Binos për Shqipërinë për Safejournalists.net, “71.4 për qind e gazetareve kanë përjetuar abuzim verbal dhe më shumë se një e treta janë shënjestruar online. Këto sulme shpesh i detyrojnë ato të vetëcensurohen, duke dëmtuar punën e tyre.”
Një sondazh i BIRN në redaksitë shqiptare zbuloi se shumë gazetarë – burra dhe gra – hezitojnë të reagojnë kur mediat e tyre shpërndajnë dezinformata ose përdorin gjuhë diskriminuese ndaj grave, nga frika se mund të humbasin vendin e punës dhe mjetet e jetesës.
Ligji për shpifjen krijon “klimë frike”

Në mungesë të një ligji specifik në Shqipëri për të trajtuar dhunën kibernetike ndaj grave, kjo çështje adresohet vetëm pjesërisht përmes ligjeve të tjera, si ato që lidhen me diskriminimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
“Përgjegjësia e platformave është gjithashtu e dobët”, tha studiuesja e të drejtave digjitale Esmeralda Metko, duke iu referuar detyrimit të platformave për të monitoruar dhe menaxhuar përmbajtjen e publikuar.
Edhe pse ekzistojnë disa ligje të përgjithshme kundër përmbajtjeve të dëmshme, shumica e platformave nuk kanë filtra apo sisteme reale moderimi.
Studiuesja e medias Ina Allkanjari identifikoi një tjetër pengesë ligjore: shpifja në Shqipëri konsiderohet ende vepër penale, pavarësisht rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që ajo të trajtohet vetëm si çështje civile.
“Kjo situatë jo vetëm që e bën më të lehtë abuzimin me ligjin për të frikësuar gazetarët, por krijon edhe një klimë frike që dekurajon raportimin kritik.”
Metko shtoi: “Kodi Penal kërkon që informacioni i rremë të korrigjohet në rastet e shpifjes, por kjo zbatohet rrallë dhe shumë njerëz nuk janë në dijeni të kësaj. Kur ndodhin korrigjimet, ato shpesh nuk arrijnë tek e njëjta audiencë që ka parë pretendimet e rreme fillestare, duke i bërë ato të paefektshme.”
Në rastin e Binos dhe të gazetareve të tjera, artikujt që mediat i konsiderojnë shpifës mbeten online, të pakorrigjuar, pavarësisht se përmbajnë gjuhë fyese dhe akuza të pabazuara.
Peizazhi mediatik është kaotik
Sipas Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, shumica e mbi 900 mediave digjitale – media të themeluara dhe që operojnë ekskluzivisht online – nuk kanë mbikëqyrje redaksionale bazë, transparencë mbi pronësinë apo sisteme për moderimin e përmbajtjes.
Ndërsa Kodi i Transmetimeve dhe ligjet për informimin publik vendosin parime të qarta për të garantuar objektivitet dhe paanshmëri, Allkanjari theksoi se “këto vlejnë kryesisht për mediat tradicionale audiovizive, jo për platformat online”.
“Shumë media digjitale nuk janë të regjistruara zyrtarisht dhe nuk ka një sistem funksional monitorimi”, tha Allkanjari për BIRN.
Metko ndau të njëjtin shqetësim: “Ligji për Mediat Audiovizive është plotësisht i harmonizuar me Direktivën e BE-së. Megjithatë, ai zbatohet vetëm për shërbimet audiovizive, jo për median e shkruar apo portalet online. Si rezultat, faqet digjitale të lajmeve mbeten jashtë fushës së ligjit dhe të paregullluara nga ana ligjore.”
Kjo mungesë rregullimi është nxitur nga një model ekonomik që shpërblen senzacionalizmin.
“Gara për klikime dhe dukshmëri tani peshon më shumë se misioni për të informuar në mënyrë të saktë dhe etike”, tha Nevila Gjata, kryeredaktore e organizatës shqiptare për verifikimin e fakteve Faktoje.al. “Historitë e ngarkuara emocionalisht dhe jo të sakta përhapen më shpejt se gazetaria e përgjegjshme.”
Metko theksoi se liria e medias dhe e shprehjes janë tregues të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se vendi duhet të përmirësojë pavarësinë redaksionale, transparencën dhe mbrojtjen e gazetarëve.
Megjithatë, “ndonëse vendi po përafron legjislacionin e tij me direktivat digjitale të BE-së, zbatimi mbetet i dobët dhe kryesisht administrativ”, tha Metko. “Pa institucione të forta dhe ndjekje të qëndrueshme, këto reforma rrezikojnë të mbeten vetëm simbolike.”
Dezinformimi gjinor dhe politika
Gratë në politikë janë veçanërisht të pambrojtura, tha Gjata.
“Gratë, veçanërisht në politikë, përballen me sulme të koordinuara, akuza të rreme për korrupsion, fyerje personale dhe ekspozim të jetës private”, tha ajo për BIRN, duke shtuar se kjo tendencë ishte veçanërisht e dukshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti në Shqipëri.
Kjo gjë rrezikon “të normalizohet”, tha ajo.
“Gjuha e ashpër politike, reagimet e dobëta institucionale, hapësirat digjitale të parregulluara dhe rënia e etikës redaksionale e përkeqësojnë problemin, sidomos duke vënë në shënjestër pamjen e grave në vend të ideve të tyre.”
Një studim i publikuar nga Faktoje.al në vitin 2023 zbuloi se mediat e lidhura me partitë politike janë prodhuesit kryesorë të këtij dezinformimi gjinor, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore.
“Fushatat e dezinformimit që shënjestrojnë gratë ndikojnë në opinionin publik shqiptar duke u mbështetur te vlerat tradicionale familjare dhe rolet gjinore”, shkroi Faktoje.al. “Mediat ose i krijojnë vetë këto fushata, ose bëhen pjesë e tyre për përfitime financiare. Dezinformimi që përfshin gra gjeneron më shumë angazhim – veçanërisht kur titujt përfshijnë dhunë, fyerje apo ekzagjerime.”
Gazetari i pavarur dhe studiuesi i medias Geri Kolgega ndau të njëjtin shqetësim.
“Gazetarët e dinë që duhet të prodhojnë përmbajtje të klikueshme, duke normalizuar shpesh narrativa të dëmshme për gratë”, tha ai.
“Nuk ka mbështetje apo udhëzim etik nga drejtuesit e redaksive. Përkundrazi, kjo sjellje shpesh nxitet. Në emër të klikimeve, fitimeve dhe senzacionalizmit, çdo gjë bëhet e justifikueshme. Ironikisht, ndërsa ndjekim angazhimin, ne gërryejmë besimin e publikut. Presioni për të përmbushur objektiva joreale i fut gazetarët në një cikël të pandërprerë që i shtyn drejt metodave joprofesionale.”
Pa masa mbrojtëse
Me shumicën e mediave tradicionale në Shqipëri të përqendruara në duart e pak mogulëve të lidhur politikisht, shumë gazetarë janë zhvendosur online, në kërkim, sipas Allkanjarit, të “lirisë dhe pavarësisë”.
Në vend të kësaj, ata “shpesh e gjejnë veten duke operuar në hapësira pa garanci strukturore, pa standarde etike apo norma profesionale”.
“Duhet të forcojmë vetërregullimin dhe trajnimin etik”, tha Allkanjari për BIRN, “dhe të sigurojmë transparencë ligjore dhe fiskale, që publiku të dijë kush i zotëron dhe i financon mediat.”
Ajo theksoi se edukimi mediatik është gjithashtu thelbësor.
“Qytetarët duhet të mësojnë të dallojnë gazetarinë e përgjegjshme nga propaganda e fshehur.”
Allkanjari, e cila ka trajnuar gazetarë në verifikimin e fakteve, paralajmëroi gjithashtu për ndikimin që kjo ka mbi audiencën, e cila, sipas saj, “po ekspozohet gjithnjë e më shumë ndaj lajmeve të fabrikuara”.
“Shumë njerëz nuk dinë ta dallojnë një burim serioz nga portalet që përhapin dezinformata, kryesisht për shkak të edukimit të ulët mediatik”, tha ajo. “Ndërsa disa lexues janë më kritikë, shumica ndjekin titujt ‘clickbait’ dhe shpërndajnë përmbajtje pa e verifikuar.”
Kjo rrezikon besimin publik ndaj gazetarisë në tërësi, shtoi Allkanjari.
Ndërkohë, organizata të verifikimit të fakteve si Faktoje.al përballen me presion të vazhdueshëm teksa konkurrojnë me dezinformimin viral.
Në korrik 2025, Faktoje.al u bë shënjestër e një fushate shpifëse që e akuzonte për “censurë të rrezikshme”.
“Prej kohësh përballemi me presion politik për të zbutur verifikimin e fakteve dhe me sulme sistematike nga ata që promovojnë gjuhën e urrejtjes dhe teoritë konspirative”, tha Gjata. “Megjithatë, kjo nuk na ndal të ofrojmë gazetari të pavarur, të mbështetur në fakte, të dhëna zyrtare dhe verifikim të saktë.”
Mungesë mbështetjeje institucionale
Edhe pse sulmet fizike ndaj gazetareve janë të rralla – vetëm dy raste të raportuara në vitin 2024 – kërcënimet dhe frikësimi online zakonisht mbeten të papublikuara.
Raporti i Safejournalists.net për Shqipërinë zbuloi se gati gjysma e të shënjestruarave thanë se morën ose mbështetje të pamjaftueshme (19.1 për qind) nga punëdhënësi, ose aspak mbështetje (29.4 për qind).
“Edhe kur mbulimi mediatik seksist apo shpifjet janë të qarta, ankesat rrallë herë bëhen dhe disa tërhiqen”, tha për BIRN Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri.
“Shumica e ankesave aktive vijnë nga shoqëria civile për gjuhë stereotipike.”
Ndryshe nga shumë të tjera, rasti i Binos nuk kaloi pa u vënë re.
Pas nisjes së fushatës shpifëse, profilet e saj në rrjetet sociale u mbushën me mesazhe mbështetjeje, si nga kolegë ashtu edhe nga persona të panjohur.
“Ishte një moment i vështirë, por fuqizues”, kujton Bino. “Më kujtoi pse ka rëndësi puna jonë. Solidariteti tregon se askush nuk ka pse ta përballojë vetëm këtë lloj sulmi. Kur shoqëria reagon, ajo krijon një mburojë mbrojtëse. Dërgon një mesazh për ata që qëndrojnë pas fushatave shpifëse: komuniteti profesional nuk do të heshtë.”/BIRN/