
Shkelën urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë dhe matrikuluan 120 bagëti (gjedhë dhe bagëti të imta) të kontrabanduara nga Greqia, arrestohen 4 veterinerë, shpallet në kërkim tregtari 39-vjeçar i dyshuar dhe merren nën hetim 3 personat që i mbajtën kafshët në stallat e tyre.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Korçës njoftoi sot se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Matrikulli”.
“Të gjitha këto veprime janë kryer në shkelje të urdhrit të ministrit së Bujqësisë, për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të imta”, njoftoi policia vendore.
Të arrestuar për shpërdorim të detyrës janë veterinerët Baki Myrtollari, 64 vjeç, banues në Durrës, Kujtim Agolli, 57 vjeç, banues në Korçë, Demir Koritari, 64 vjeç, banues në Maliq, punonjës të Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll.
Gjithashtu edhe Ergys Lame, 39 vjeç, banues në Devoll, punonjës (veteriner) i Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll, që do ketë edhe akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Në kërkim u shpall Guri Mazelliu 39 vjeç, banues në Devoll, i dyshuar për veprat penale “kondrabanda me mallra të tjera”, “ruajtja dhe depozitimi i mallrave kondrabandë”, “tregtimi apo transportimi i mallrave kondrabandë”, “fshehja e të ardhurave” dhe “mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Kush është Guri Mazelliu i njohur ndryshe si i “frikshmi” i Bilishtit:

39 vjeçari Guri Mazelliu nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi më 1 Maj të vitit 2009, kur ai ishte 23 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar më sëpatë në kokë duke e lënë të plagosur shtetasin, Erigels Bregu.
Një muaj më parë 39 vjeçari ka kanosur me armë punojësit të cilët po kryenin asfaltimin në rrugën e fshatit turistik të Dardhës në Korçë.
Guri Mazelliu strehohej në një stallë në kufi me Greqi dhe në momentin kur ektivët e Policisë i janë afruar për ta arrestuar, për shkak të terrenit të vështirë ai ka mundur të largohet dhe të arratiset drejt shtetit fqinj.
Njoftimi i policisë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Matrikulli”.
Matrikulluan 120 bagëti të imëta dhe gjedhë, të kontrabanduara, arrestohen në flagrancë 4 veterinerë.
Shpallet në kërkim 39-vjeçari që dyshohet se ka kontrabanduar bagëtitë dhe gjedhët, nga Greqia.
Procedohen penalisht 3 shtetas që mbajtur në stallat e tyre, bagëtitë dhe gjedhët.
Të gjitha këto veprime janë kryer në shkelje të urdhrit të ministrit së Bujqësisë, për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të imta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Matrikulli”, si rezultat i të cilit:
-u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit B. M., 64 vjeç, banues në Durrës, K. A., 57 vjeç, banues në Korçë, dhe D. K., 64 vjeç, banues në Maliq, punonjës (veterinerë) të Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll;
-u arrestua në flagrancë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasi E. L., 39 vjeç, banues në Devoll, punonjës (veteriner) i Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll;
-u shpall në kërkim shtetasi G. M., 39 vjeç, banues në Devoll, i dyshuar për veprat penale “Kondrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kondrabandë”, “Tregtimi apo transportimi i mallrave kondrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
– u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. M., 40 vjeç, banues në fshatin Voskop, E. Z., 48 vjeç, banues në Bilisht, dhe R. Zh., 57 vjeç, banues në fshatin Tren, për veprën penale “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi i shpallur në kërkim G. M., ka kontrabanduar nga Greqia, 100 bagëti të imta dhe 20 gjedhë. Më pas, dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit e arrestuar (veterinerët) i kanë matrikulluar bagëtitë dhe gjedhët, me matrikullat që kanë marrë nga zyra e veterinarisë në Devoll. 3 shtetasit e proceduar dyshohet se kanë mbajtur në stallat e tyre, bagëtitë dhe gjedhët e kontrabanduara nga 39-vjeçari.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.