
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për çështjen ndaj të pandehurit Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, duke e dënuar atë përfundimisht me 2 vite burg për korrupsion aktiv.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Aleksandër Laho u deklarua fajtor për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Fillimisht, ai u dënua me 3 vite burgim, por në zbatim të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit, duke përfunduar me një dënim final prej 2 vitesh burg.
Sipas hetimeve, Laho i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Emri i Aleksandër Lahos është përmendur edhe më parë në kronikën kriminale.
Ai mbeti i plagosur në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019, ndërsa hetimet zbuluan një video ku ai komunikonte me një zyrtar të Avokaturës së Shtetit për rastin korruptiv.
Kërçuku është dënuar me 2 vite burg për të njëjtën çështje.