
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Siguria Dentare”, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, me qëllim garantimin e sigurisë së pacientëve në klinikat dentare.
Gjatë kontrolleve në një klinikë dentare në Rrugën e Kavajës, policia zbuloi një sasi të konsiderueshme preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara, të cilat përdoreshin për shërbime si terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza dhe implante dentare.
Si rezultat i hetimeve, u arrestuan në flagrancë administratori i klinikës, Ervin Zeka, 40 vjeç, dhe një nga stomatologët, Kejdi Myzyri, 26 vjeç. Gjithashtu, 12 punonjës të tjerë të klinikës janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Materialet u sekuestruan si provë materiale, ndërsa çështja është referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Të arrestuarit dhe të proceduarit po përballen me akuza për “Prodhimin dhe tregtimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehje të ardhurash”.