
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe duket se është ende në terren dhe vijon me denoncimin e zaptimit të hapësirave publike nga biznese dhe qytetarë.
Në një postim për herë të dytë, deputeti Braçe denoncoi zaptimin e trotuarit në mes të ish-Bllokut, ku prej 3 vitesh po ndërtohet kulla “The One”, me pronar vëllezërit Alban, Andi dhe Olsi Efthimi.
Braçe shkruan se ndërtimi i kullës ka bllokuar të gjithë trotuarin, rrugën dhe lëvizjen, madje i ka bërë edhe një thirrje. Publikisht deputeti i kërkon që të lirojë rrugën duke i marrë shembullin e një ndërtuesi tjetër që respekton hapësirën publike.
Reagimi i Erion Braçes:
Mu në mes të bllokut, dita e dytë por viti i tretë marrë trotuar, pemë, rrugë, parkim, liri lëvizje!
Por shihni ama; janë në të njëjtën rrugë, 20 metra larg nga njëri-tjetri, por i dyti e ka lënë të lirë trotuarin!
Dhe e shihni pse?
Sepse ndërtimi ka dalë mbi një metër nga linja e pallateve, një metër përpara, një metër më shumë!
Të jetë leja kështu?
Do jetë tmerr!
Nejse, liro trotuarin, pemët, rrugën, parkimin oooo trim, liroje se nuk janë të tuat!!
Braçe kishte qenë edhe më 19 korrik në Bllok, në një tjetër zonë ku po ndërton kompania, ku sërish konstatoi të njëjtën situatë.
Edhe pak ditë më parë, deputeti socialist kërkoi zbatimin e aksionit për lirimin e hapësirave publike.