
Shpërthim me tritol në Sarandë, në shënjestër automjeti i një të kërkuari për krim – pista e hakmarrjes në fokus
Një shpërthim i fuqishëm me tritol ka tronditur qytetin e Sarandës mesnatën e kaluar, duke shkaktuar panik te banorët dhe turistët në zonën e lagjes nr. 3. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:50, kur një automjet i parkuar u hodh në erë nga një sasi lënde eksplozive e vendosur në të.
Automjeti është përfshirë plotësisht nga flakët dhe ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Pas shpërthimit, shumë banorë dhe turistë që ndodheshin në afërsi janë alarmuar dhe kanë dalë nga banesat apo strukturat ku qëndronin.
Sipas Policisë së Shtetit, mjeti i shkatërruar i përket Klaus Jaçajt, 31 vjeç, një shtetas i shpallur në kërkim vetëm katër ditë më parë. Ai akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar vëllezërit Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët më 17 korrik plagosën dy persona pas një konflikti për pronësinë e një parcele në bregdet.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pista kryesore që po shqyrtohet lidhet me hakmarrjen për këtë përplasje, e cila duket se po përshkallëzohet në episode të dhunshme.
Policia vijon hetimet për të zbardhur autorët dhe motivet e sakta të ngjarjes, ndërsa janë marrë në administrim pamjet e kamerave të sigurisë në zonë. Në terren janë angazhuar forca të shtuar për garantimin e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve.