
Ka përfunduar pas disa orësh, mbledhja me dyert të mbyllura e kryeministrit Edi Rama me ministrat dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës. Sa i përket kësaj të fundit, nuk i ka shpëtuar ‘aksionit’ të Kryeministrit për të shkarkuar drejtuesit e saj. Burime bëjnë me dije se Rama ka vendosur largimin e të gjithë nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës, përfshirë edhe kryetaren e komanduar Anuela Ristanin.
Kreu i qeverisë mësohet të ketë thënë që duhet të gjejnë njerëz të tjerë për nënkryetarë që do të marrin përsipër sektorë të ndryshëm për të drejtuar bashkinë deri në zgjedhje (pa dhënë një afat). Kryeministri Edi Rama mësohet se ka kërkuar që nga 4 nënkryetarë të Bashkisë Tiranë, të bëhen 5. E njëjta skemë u zhvillua edhe në Vlorë, Fier e Durrës, ku Rama kërkoi largimin e drejtuesve aktualë të institucioneve në varësi të Bashkisë.
Ndërkohë Bashkia e Tiranës aktualisht është pa një kryetar të zgjedhur nga votat e qytetarëve. Disa ditë më parë, në një takim me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës dhe deputetë të zgjedhur nga votimet për parlamentin më 11 maj, Edi Rama foli shumë pak, por la të kuptohet shumë.
“Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë,”- citohet të ketë thënë Rama. Ndaj edhe kjo pikëpyetje e ngritur nga Rama për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë Tiranë, duket se pret një “përgjigje” nga institucionet e drejtësisë.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash ‘OJF’.
Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar.