
Një valë e fortë të nxehti pritet të prekë rajonin e Ballkanit në ditët e ardhshme, duke arritur kulmin midis 21 dhe 26 korrikut 2025. Sipas mediave të huaja, zonat më të nxehta do të jenë Greqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia jugore dhe Turqia perëndimore, ku temperatura maksimale pritet të arrijë ose edhe të kalojë 42-44°C , nivele që i afrohen ose edhe i tejkalojnë rekordet nga vitet e kaluara.
Fenomeni i nxehtësisë është për shkak të lëvizjes intensive të masave të ajrit të ngrohtë nga Afrika e Veriut në Mesdheun lindor, ndërsa masat më të ftohta të ajrit lëvizin drejt Evropës perëndimore.
Pasojat e kësaj nxehtësie pritet të jenë të konsiderueshme si:
– Rrezik i shtuar për shëndetin e njeriut, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe njerëzit me probleme shëndetësore.
– Presione në rrjetet e energjisë për shkak të rritjes së kërkesës për ftohje.
– Ndikime në bujqësi dhe mjedis natyror, me një rrezik në rritje të zjarreve.
Ekspertët nënvizojnë se zgjidhjet e bazuara në natyrë duhet të jenë prioritet në planifikimin urban. Sipas studimeve, temperatura në zonat urbane mund të ndryshojë deri në 8–11°C, në varësi të mbulesës së gjelbër dhe prezencës së pemëve. Rritja e hapësirave të gjelbra, çatitë dhe muret e gjelbërta, si dhe krijimi i parqeve urbane, mund të ndihmojnë jo vetëm në përballimin e valëve të të nxehtit, por edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës në qytete.