
Zeqir Kordhoni ka reaguar publikisht pas përfundimit të zgjedhjeve, duke akuzuar Adriatik Lapajn se ka thyer premtimin për të dhënë dorëheqjen në rast se koalicioni merrte vetëm një mandat.
Në një mesazh në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Kordhoni tha se ishte angazhuar me sinqeritet në fushatë, duke mbledhur firma, shpërndarë fletëpalosje dhe ruajtur votat gjatë numërimit, sepse kishte besuar te premtimi i Lapajt.
“Adriatiku na gënjeu! Unë jam njeri i thjeshtë me 1000 halle, por u angazhova në këtë fushatë se besova që po ndryshojmë Shqipërinë. Kur Adriatiku na dha llafin që po morëm vetëm një mandat, do japë dorëheqjen, e besova. Siç kisha dhënë llafin, në 11 maj firmosa dorëheqjen. Por kur pashë që Adriatiku u fsheh dhe nuk po e mbante fjalën, u ndjeva i përdorur”, tha Kordhoni.
Ai shtoi se nuk kërkon të bëhet deputet, por nuk mund të lejojë që dikush ta përdorë dhe ta tallet me njerëzit që kanë punuar me ndershmëri.
“Kur shkova në KQZ, Adriatiku në vend që të reflektonte, u soll si gangster. Unë nuk dua të bëhem deputet, por nuk mund të më shkelë njeri me këmbë. Adriatiku dhe të gjithë ta kuptojnë se nuk mund të tallen me njerëzit kështu. O thuaje fjalën dhe mbaje… ose (e dini vetë)”, përfundoi Kordhoni.