
Ngjarja ndodhi në lokalin “Filloas”, në rrugën “Tripoleos” të kryeqytetit grek, ku u qëllua me armë zjarri shtetasi turk Volkan Ertas, 48 vjeç, i cili mbeti i plagosur.
Një plumb preku gjithashtu dhe një polic grek, bashkëshort i pronares së lokalit, i cili ndodhej rastësisht aty.
Sipas të dhënave të para, shënjestra e atentatit kishte shkuar në lokal pas një komunikimi me shtetasin turk Suleyman Dalgic, i cili ndodhet i dënuar me burgim të përjetshëm në burgun e Larisas për vrasjen e gjashtë shtetasve turq në tetor të vitit 2023 në Artemida.
Dalgic i kishte premtuar Ertasit se do të merrte një automjet në këmbim të një borxhi, por skenari rezultoi të ishte një pritë e mirëorganizuar.
Autori i dyshuar, Alesio Biba, u identifikua pas hetimeve dhe dëshmive të mbledhura nga autoritetet greke.
Gjatë operacionit për arrestimin e tij, ai tentoi të shkatërrojë telefonin celular para efektivëve.
Në kontrollin e ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi armën e krimit, një pistoletë “Grand Power MK7”, me një krehër me 15 fishekë, një krehër rezervë, 29 fishekë të tjerë, një fishek “Luger”, një telefon “Samsung”, katër pako me numra celularë, udhëzime për përdorimin e GPS Tracker për automjete, si dhe një kartë SIM.
Gjatë marrjes në pyetje, i riu shqiptar ka pranuar autorësinë e ngjarjes, duke deklaruar se synimi i tij ishte vetëm të plagoste Volkan Ertasin.
Megjithatë, policia greke dyshon se ngjarja është pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh brenda botës së krimit të organizuar turk, ku Suleyman Dalgic luan rolin e një figurë qendrore.
Dalgic akuzohet se ka nxjerrë në pritë gjashtë anëtarë të grupit mafioz turk “Daltons”, të cilët u ekzekutuan në Greqi.
Nga kontrolli në qelinë e tij nuk janë gjetur sende të paligjshme, por hetimet vazhdojnë për të zbuluar rrjetin e gjerë të bashkëpunëtorëve dhe lidhjet ndërkombëtare të këtij grupi kriminal.