
Një video e publikuar ditët e fundit, ku duken dy automjete që “garojnë” dhe xhirojnë gomat në pistën e Aeroportit të Kukësit, tregon pikërisht degradimin e një prej veprave të ndërtuara pa asnjë plan.
I cilësuar si “krenaria” dhe i emëruar si “Flatrat e Veriut”, tashmë është kthyer në një pistë garash, ku të rinjtë, apo edhe vetë pronarët e firmës koncesionare, shfryjnë dufet duke bërë “drift”.
Ndërkohë, vetë shteti i cili është rrefullator dhe vendimarrës, çfarë veprimesh bën për ta kthyer në punë?
Sipas dokumenteve që ka siguruar VoxNews, institicionet shtetërore bëjnë tendera të kota për studime apo trajnime se si t’a vënë në punë.
Harxhohen miliona lekë për të bërë fizibilitetin tani “pas pilafit”, kur duhet t’a kishin bërë para se ta përuronin.
Por bërja e një vepre natyrisht që kërkon një studim tregu, vendin apo edhe gjithçka tjetër me hollësi, gjë që për “Flatrat” nuk është bërë!
Faksimil: Njoftimi i tenderit për studime fizibiliteti për ta vënë në punë
Albcontrol, institucioni shtetëror që kontrollon hapësirën ajrore shqiptare, ka hapur një tender të ri. Bëhet fjalë për “studimi i fizibilitetit për infrastrukturën e trafikut ajror në Aeroportin e Kukësit”.
Fondi limit i akorduar është rreth 165 mijë euro.
Më shumë sesa fondi, ajo që bie në sy në këtë procedurë është se bëhen tendera të kota kur në një kohë pista mund të përdoret edhe për makina.
Por, duke parë ato mjete, ndokujt i ka shkuar mendimi që shteti të braktisë shpenzimin e dhjetëra miliona eurove për pistën e F1 në Elbasan dhe ta zhvendosë vëmendjen apo edhe pistën në Kukës!
Faksimile: Kërkesat e Albcontrol për studimin e fizibilitetit për Aeroportin e Kukësit
Në dokumentet shoqëruese, Albcontrol kërkon “identifikimin e strategjisë më të përshtatshme”.
Sipas saj, të përfshihet përcaktimi i objektivave të dëshiruara, fushës së veprimit dhe horizontit kohor.
“Përgatitja e një strategjie themelore mund të adresojë pyetje kyçe si: Cila qasje do të rezultojë në kursime të kostove? A mund të arrihet harmonizimi teknik i sistemeve të Menaxhimit të Trafikut Ajror (ATM)? A është e mundur të ofrohen shërbime të kontrollit të trafikut ajror në mënyrë efektive nga një qendër e vetme ku mund të integrohen kullat e së ardhmes?”, thuhet në dokumente.
Më tej përcaktohet se është kritike që të vlerësohet konfigurimi i duhur, duke marrë në konsideratë skenarët e mëposhtëm: ndërtimi i një kulle betoni në Kukës; blerja ose marrja me qira e një kulle të lëvizshme; blerja e një kulle të largët apo ndërtimi i një Qendre të Kontrollit të Largët (RTC) me mundësinë për të akomoduar disa aeroporte, nga pista të vogla AFIS deri te mundësia e shfrytëzimit si qendër emergjence për Kullën ATC të Aeroportit të Tiranës dhe asaj të Vlorës.
Duket se as vetë Albcontrol, apo edhe institucionet e tjera, nuk kanë një ide të qartë se çfarë kerkojnë.
Kanë shumë pikëpyetje dhe këto pikëpyetje kërkojnë që t’ua thotë një firmë private.
Gjithashtu, në dokumente kërkohet edhe një përmbledhje dhe hartimi i kësaj strategjie duhet të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Albcontrol. “Ky proces përfshin organizimin e një seminari strategjik në nivel të lartë për përcaktimin e fushës së veprimit, dh një diskutim në tryezë të rrumbullakët për identifikimin e aktorëve kryesorë” vijon dokumenti.
Faksimile: Bilanci i firmës që menaxhon Aeroportin e Kukësit
Ndërkohë, ndryshe nga sa u trumbetua me të madhe, nëse do të bësh një kërkim për bileta udhëtimi nga Aeroporti i Kukësit s’do të gjesh asnjë gjurmë. Faqja e internetit e koncesionarit s’ka asnjë të dhënë për “nisjet” dhe “mbërritjet”, teksa gjurmët e fundit të biletave datojnë në muajin korrik 2023. Më pas, edhe linjat “loë cost” kanë “braktisur” këtë pistë, pasi “nuk ka leverdi”.
Edhe disa muaj më parë, VoxNews raportoi se “Albcontrol” hapi një tender me objekt “studim fizibiliteti për infrastrukturën e Trafikut Ajror në Aeroportin e Kukësit”.
Fondi limit ishte 200 mijë euro. Sipas dokumenteve, koncesioni për menaxhimin e Kukësit është dhënë në vitin 2019, me një afat kohor prej 35 vitesh.
Fitues doli një bashkim i kompanive “Global Technical Mechanichs”, e cila investoi 8 milionë euro për vënien në punë të tij.
VoxNews shfletoi të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit për kompaninë koncesionare, ku rezulton se për vitin 2023 ka dalë me humbje prej 100.909.958 lekë.
Humbja neto e shoqërisë me këtë vlerë të mbartet në periudhat e ardhshme. /vox