
Dogana shqiptare njofton se udhëtarët që vijnë nga një vend tjetër në Republikën e Shqipërisë përjashtohen nga detyrimet e importit për mallrat që gjenden në bagazhin e tyre personal.
Sipas njoftimit mallrat përjashtohen nëse, për nga lloji dhe sasia e tyre, nuk kanë për qëllim përdorimin tregtar. Përfitojnë përjashtim mallrat e përdorimit vetjak të udhëtarëve ose mallrat për dhurata.
DSH informon se vlera e mallrave që përfitojnë përjashtim (pa përfshirë këtu produktet e duhanit dhe alkolit) eshte sipas vlerës ekuivalente në lekë të shumave, si më poshtë:
· Udhëtarët në rrugë tokësore: 300 euro për çdo udhëtar
· Udhëtarët në rrugë ajrore ose në rrugë detare: 430 euro për çdo udhëtar
· Për udhëtarët nën 15 vjeç: 150 euro
Sipas DSH gjatë hyrjes ose daljes nga Republika e Shqipërisë, udhëtari duhet të deklarojë mallrat nëse janë me vlerë më të lartë se kufiri përkatës i sipërpërmendur si dhe nëse janë për qëllime tregtare.
Autoritetet doganore mund t’i kërkojnë udhëtarit që të tregojë të gjitha mallrat që transporton.
Për mallrat me natyrë jo tregtare në bagazhin e udhëtareve që e tejkalojnë kufirin e pataksueshëm nga detyrimet doganore të importit, kryhet deklarimi doganor nëpërmjet procedurës së Deklarimit të thjeshtuar.